FLASH :

Qeveria “Meloni” ndryshon funksionin e kampit të Gjadrit

Pasi ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, njoftoi ndryshimet që pritet të hyjnë në fuqi, qeveria italiane është gati të miratojë një dekret të veçantë gjatë mbledhjes së kësaj të Premteje. Ky ndryshim lidhet me riorganizimin e qëndrave për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër.

Këto qendra, të cilat më parë ishin të dedikuara për strehimin e atyre që shpëtoheshin nga deti në ujërat ndërkombëtare, tani do të shërbejnë për të mbajtur emigrantët që i është refuzuar azili dhe janë në pritje të riatdhesimit. Ky ndryshim, siç tha Piantedosi, do të qëndrojë në fuqi deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Për më tepër, pritet që në Gjadër të dërgohen edhe emigrantë nga vende të pasigurta, të cilët mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa të realizohet riatdhesimi i tyre. Sidoqoftë, siç raporton gazeta “La Repubblica”, çështja e mbështetjes ligjore dhe e kostove mbetet problematike. Në përputhje me ligjin italian, dëbimi duhet të realizohet nga territori italian, çka do të thotë se emigrantët mund të duhet të kthehen një herë tjetër në Itali, përpara se të dërgohen në vendet e tyre të origjinës.

Ndryshimi i funksionimit të Gjadrit është shpërfaqur si një temë debati në politikën italiane, sidomos për opozitën. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, kritikoi dekreti, duke thënë se ai është në kundërshtim me legjislacionin e BE dhe mund të kërkojë edhe ndryshime financiare të rëndësishme dhe rishikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Pak ditë më parë, ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, vizitoi Gjadërin dhe sugjeroi që kampi të kthehet në një burg për të dënuarit shqiptarë që ndodhen në Itali.