Një aksion i gjerë i Prokurorisë së Fierit dhe Policisë së Shtetit ka goditur kompaninë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, e cila akuzohet për mashtrim me TVSH-në, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash, duke shkaktuar miliona euro dëm në buxhetin e shtetit. Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar dhe 5 persona janë shpallur në kërkim, shumica të huaj.
Sipas Prokurorisë, në periudhën 2004–2024, kompania ka shitur dhe eksportuar naftë në vlerën e 532 miliardë lekëve, ndërkohë që në çdo vit ka deklaruar humbje, duke mos paguar asnjë tatim mbi fitimin dhe duke përfituar fiktivisht rimbursime të TVSH-së. Vetëm për këtë periudhë, “Bankers” ka deklaruar 11.7 miliardë lekë humbje, ndonëse ka pasur aktivitet ekonomik të lartë.
Të arrestuar janë drejtuesi aktual i kompanisë Hongping Xiao, ish-administratori Leonidha Çobo, dhe disa drejtues të tjerë financiarë, ndërsa në kërkim janë edhe drejtues të huaj të përfshirë në aktivitetin mashtrues.
Hetimi u zhvillua për gjashtë muaj me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, duke rezultuar në grumbullimin e provave për disa vepra penale, përfshirë:
- Krijimi i skemave mashtruese për TVSH-në (neni 144/a)
- Fshehja e të ardhurave (neni 180/3)
- Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287)
- Shpërdorimi i detyrës (neni 248)
- Moskryerja e detyrave nga organet tatimore (neni 181/a)
Sipas organit të akuzës, “Bankers” dyshohet se ka fryrë fiktivisht shpenzimet, për të dalë çdo vit me bilanc negativ dhe për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin. Për këtë qëllim janë përdorur dokumente të falsifikuara, operacione financiare të dyshimta, dhe ndihma nga kompani të tjera kontraktuese brenda dhe jashtë vendit.
Prokuroria ka sekuestruar dokumente dhe prova nga ambientet e kompanisë dhe banesa private të të dyshuarve dhe thekson se hetimet do të vijojnë, pasi dyshohet për një rrjet të gjerë skemash mashtruese, me përfshirjen e shumë individëve dhe kompanive të tjera të lidhura me “Bankers”.
Kujtesë ligjore: Çdo i dyshuar presumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
