Nga larg, Shqipëria duket si një vend me mundësi. Shifrat e qeverisë flasin për ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit tek të rinjtë. Por mjafton t’i shohësh më nga afër për të kuptuar se këto statistika nuk janë asgjë më shumë se një iluzion i mirëmbajtur nga politika, një farsë e mbështetur në modele të dështuara ekonomike.
Çdo vit, në fillim vere, qeveria del krenare për rritjen e punësimit. Restorantet mbushen, hotelet marrin personel shtesë, plazhet kërkojnë kamarierë, baristë dhe recepsionistë. Në letër, mijëra të rinj punësohen. Në realitet, ata punojnë për dy apo tre muaj, shpesh pa kontrata të rregullta, pa sigurime, pa trajnim dhe pa perspektivë. Sapo sezoni mbaron, këto vende pune zhduken si drita e diellit në tetor. Por qeveria i ka numëruar tashmë si vende pune të reja, duke i përdorur për të mbushur bilancin politik në letër.
Ky nuk është model zhvillimi ekonomik, por një rreth vicioz. Punësimi sezonal nuk krijon as siguri, as karrierë dhe as rritje reale ekonomike. I vetmi që përfiton nga ky model është vetë sistemi politik, që e përdor punën sezonale si armë propagande. Për të rinjtë, këto janë muaj të humbur që nuk ndërtojnë karrierë profesionale. Për pronarët e bizneseve, të rinjtë janë krahë pune të përkohshëm dhe të paguar pak. Për qeverinë, janë statistika të fryra që i shërbejnë PR-it.
Ja se çfarë na tregojnë të dhënat e INSTAT:
Në verën e 2024, përqindja e të rinjve 15–24 vjeç të punësuar me kontratë të përkohshme u ngjit në 14.5%, dy herë më e lartë se në fillim të vitit (7.2%). Një vit më parë, në 2023, ndodhi e njëjta gjë: në verë kjo shifër ishte 14.2%, ndërsa në muajt e tjerë binte me shpejtësi. Ky është cikli i përsëritur i turizmit shqiptar gjeneron punësim, por vetëm për pak muaj dhe pa asnjë garanci.
Numri i të punësuarve në grupmoshën 15-29 vjeç rritet ndjeshëm në tremujorin e tretë, pikërisht kur plazhet hapen dhe restorantet punësojnë me orë të zgjatura dhe paga minimale. Në 2024, numri i të punësuarve në këtë grupmoshë shkoi në 196 mijë në verë, nga 185 mijë në fillim të vitit. E njëjta panoramë paraqitet edhe në 2023. Por këta të rinj nuk gjejnë punë të qëndrueshme dimri i gjen përsëri në radhët e papunësisë ose emigrimit.
Pse kanë dështuar politikat e punësimit për të rinjtë?
Sepse ato nuk janë politika, por farsa të dizajnuara për të mos ndryshuar asgjë. Skemat e subvencioneve dhe trajnimeve janë të fragmentuara, burokratike dhe larg realitetit të tregut. Shumë programe punësimi për të rinjtë shpallen me bujë, por nuk monitorohen kurrë.
Askush nuk pyet: ku përfundojnë të rinjtë që punësohen për dy muaj verë? Si e kalojnë dimrin? Sa prej tyre mbeten në Shqipëri?
Në vend të një strategjie kombëtare për punësimin e të rinjve në profesione me të ardhme si teknologjia, inxhinieria, dizajni, financat apo prodhimi industrial, vendi vazhdon të mbështetet tek call center-at dhe sezoni turistik. Ndërkohë, qindra mijëra të rinj votojnë me këmbë duke ikur nga vendi. Sepse e kuptojnë që Shqipëria nuk u ofron një karrierë, por një seri punësh të përkohshme dhe pasiguri të përhershme.
Në thelb, kemi të bëjmë me dështim të sistemit. Një qeveri që lavdëron punësimin sezonal si sukses ekonomik, tregon vetëm sa e ulët është pritshmëria që ka për të ardhmen e vendit. Në çdo vend normal, puna sezonale konsiderohet plotësuese një mundësi për studentët gjatë pushimeve apo për ata që duan të fitojnë disa para shtesë. Në Shqipëri, ajo paraqitet si zgjidhja kryesore.
Por a mund të ndërtohet një ekonomi mbi tavolina lokalesh dhe telefonata call center-ash? Përgjigja dihet. Jo. Sepse një vend që nuk krijon punë të qëndrueshme, profesione, industri dhe inovacion, është një vend që prodhon emigrantë, jo qytetarë aktivë. Punësimi i të rinjve ka dështuar sepse askush nuk ka dashur ta ndryshojë këtë realitet. Qeveritë kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: të numërojnë kamerierët dhe operatorët e verës si “vende të reja pune”. Sepse është më kollaj të bësh propagandë, se sa reforma reale.