Nga viti i largët 1948, kur Shqipëria barazonte 0-0 ndaj Jugosllavisë në Kupa Ballkanike e deri më sot, Kombëtarja kuqezi ka zbritur në fushë 52 herë në muajin qershor.
Në një muaj që për shumëkënd lidhet me fillimin e verës dhe shpresës, për Kombëtaren shqiptare qershori ka qenë shpesh muaji i përballjeve më të vështira dhe tersit sportiv. Statistikat flasin vetë: 52 ndeshje, vetëm 16 fitore, ndërsa 27 prej tyre janë humbje. Barazimet? Vetëm 9 herë kemi shmangur humbjen pa marrë fitoren.
Por shqiptarët e dinë mirë: herë pas here, historia është bërë për t’u thyer. Dhe ndoshta, pikërisht tani, në prag të përballjes me Serbinë në një tjetër ndeshje të rëndësishme në muajin qershor, është koha për të sfiduar jo vetëm kundërshtarin, por edhe një farë fati të keq që ka shoqëruar Kombëtaren në këtë muaj për dekada me radhë.
PËRMES QERSHORIT
Nga Tirana e vitit 1950, te Gjermania e Euro 2024. Kemi mposhtur Bullgarinë në Tiranë më 7 qershor 1950 me rezultatin 2-1, një fitore e hershme që frymëzoi një brez të tërë tifozësh. E më pas, dekadat rridhnin dhe Shqipëria përballej me emra të mëdhenj: Gjermania në 1971, Portugalia në 1997, Franca në 2015 (një fitore në një miqësore të paharrueshme). Në Euro 2016, tri ndeshjet u luajtën po në qershor: dy humbje ndaj Zvicrës dhe Francës, por ajo fitore legjendare ndaj Rumanisë më 19 qershor hyri në historinë tonë si e para në një turne madhor. Në vitet e fundit, shenjat e ndryshimit kanë filluar të duken.Fitore ndaj Moldavisë, Ishujve Faroe, madje edhe një barazim heroik me Kroacinë në Euro 2024 më 19 qershor.
Mbase qershori nuk është më aq ters. Në futboll, si në jetë, statistikat flasin, por fati shpesh flet më fort. Nga mbajtja e të njëjtave atlete për “ogur”, te rregulli që futbollistët hyjnë në fushë me këmbën e djathtë, supersticionet kanë qenë gjithmonë pjesë e rrugëtimit. A mund të jetë përballja me Serbinë një tjetër moment për të thyer mallkimin e qershorit? Historia thotë se jemi mësuar të vuajmë në këtë muaj, por vetëbesimi, përgatitja dhe ndoshta edhe një grimcë fati, mund ta ndryshojnë këtë cikël.

