FLASH :

“Qëndresa Qytetare” ngre alarmin: Shqipëria po plaket më shpejt se Europa – nga 27 në 44 vjeç për vetëm një dekadë

Shqipëria është gjithnjë e më pranë Bashkimit Evropian, por vetëm për nga mosha mesatare e popullsisë. Në Janar 2025, mosha mesatare në Shqipëri arriti 44.3 vjeç, ndërsa në BE ishte 44.7. Ky është një alarm i heshtur për një shoqëri që po plaket për shkak të eksodit të vazhdueshëm, veçanërisht të të rinjve.

Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga Monitor, në vitin 2015 mosha mesatare në Shqipëri ishte vetëm 27.2 vjeç. Rritja me 17 vjet brenda një dekade është një tregues i qartë i shpopullimit dhe i largimit masiv të brezit të ri.

Popullsia e vendit ka rënë në 2.36 milionë banorë më 1 janar 2025 – një tkurrje me 1.8% krahasuar me Censin 2023. Shqipëria po humbet çdo vit rreth 27-30 mijë banorë, kryesisht të rinj, çka e rrezikon seriozisht të ardhmen demografike dhe ekonomike të vendit.

Nëse kjo prirje vazhdon, deri në vitin 2035 vendi do të ketë më pak se 2 milionë banorë, me pasoja të rënda: më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës dhe më shumë të moshuar që dalin në pension.

Organizata “Qëndresa Qytetare” apelon që eksodi të jetë çështje prioritare në diskursin publik. Sipas saj, janë sipërmarrësit, politika dhe media që duhet të ngrenë alarmin, pasi Shqipëria ndodhet përballë një pragut dramatik: plakja e shpejtë e popullsisë.