Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë kthyer në problem madhor rrjetin e kanalizimeve në disa qytete të vendit, duke përmbytur rrugë, biznese dhe banesa. Ndërkohë, miliarda lekë nga taksat e qytetarëve derdhen çdo vit për ujësjellësat dhe kanalizimet, pa dhënë rezultatet e premtuara.
Vetëm në vitin 2024, qeveria shqiptare alokoi 8.8 miliardë lekë për ujësjellësat, ndërsa në 2023 kjo shifër ishte 6.3 miliardë lekë. Përveç fondeve shtetërore, ujësjellësat arkëtojnë miliona euro nga tarifat e ujit. Megjithatë, çdo herë që bie shi, situata përsëritet: kanalizime joefikase, investime të pjesshme dhe provizore që nuk kolaudohen, ndërsa faturën e rëndë e paguajnë qytetarët dhe bizneset.
Situata dramatike në disa qytete
- Durrës – Zona pranë stadiumit “Niko Dovana” është zhytur nën ujë, me rrugë, trotuare dhe katet e para të banesave të përmbytura. Në Durrësin e Ri, uji ka depërtuar brenda shtëpive, duke krijuar gjendje kritike.
- Vlorë – Qyteti bregdetar është përballur me një kaos të plotë. Ndërkohë që fondet për kanalizime janë përdorur për projekte luksoze si “stolat inteligjentë”, sot rrugët kryesore janë nën ujë, me dëme të mëdha për sipërmarrjet.
- Lezhë – Uji ka pushtuar rrugët e qytetit dhe zonave rurale, një situatë që përsëritet çdo vit pa asnjë masë parandaluese.
- Tiranë – Ndërsa paralajmërimet për reshje janë bërë në rrjetet sociale, në terren gjendja është e vakët: pemë të rrëzuara bllokojnë qarkullimin nga qendra në periferi, ndërsa dukshëm më shumë janë parë fotografë sesa punonjës të terrenit.
Fondet publike, rezultati zero
Ujësjellësat e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës përfitojnë pjesën më të madhe të fondeve publike, por qytetet vazhdojnë të përmbyten sa herë që bie shi. Situata aktuale ka ringjallur indinjatën publike për keqmenaxhimin e parave të taksapaguesve, ndërsa qeveria nuk ka dhënë ende një shpjegim të plotë mbi efektivitetin e këtyre investimeve.