Aktivistët e Qëndresës Qytetare kanë zhvilluar një protestë simbolike përpara Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të cilës i kanë vendosur një emërtim të ri: “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”, në shenjë revolte ndaj asaj që ata e konsiderojnë një dështim sistematik të shtetit në menaxhimin e krizës mjedisore në vend.
Në një deklaratë të fortë, Qëndresa Qytetare tha se “zjarret në fushat e mbetjeve në Elbasan, Vlorë dhe Tiranë nuk janë rastësi, por pasojë e projektit të dështuar të inceneratorëve, që ka përpirë miliona euro dhe nuk ka funksionuar kurrë”. Aktivistët denoncuan se qytetarët e Elbasanit janë lënë në mëshirë të flakëve dhe gazrave toksikë, ndërkohë që autoritetet nuk morën asnjë masë për t’i paralajmëruar apo mbrojtur.
Sipas të dhënave të bëra publike nga organizata, metani ishte 2 herë mbi normë, azoti 2.5 herë, ndërsa dioksidi i karbonit 3 herë më shumë se kufiri i lejuar – duke e kthyer ajrin në një rrezik serioz për jetën.
“Ministrja ka dështuar të menaxhojë bombat mjedisore, të ndalë zjarrin, të kërkojë përgjegjësi, madje edhe të njoftojë qytetarët që të mbyllen në shtëpi apo të përdorin maska mbrojtëse”, thuhet në reagim. Aktivistët akuzuan qeverinë për shndërrimin e plehrave në një kartolinë të shëmtuar turistike, teksa retë e tymit kanë mbuluar sezon pas sezoni bregdetin shqiptar.
Ata kujtuan gjithashtu se inceneratori i Elbasanit, i cili ka marrë 42 milionë euro, “nuk funksionon, ndërsa mbetjet vazhdojnë të digjen për herë të tretë këtë vit”. Zjarret janë shndërruar në një cikël të përsëritur, ndërkohë që mjetet zjarrfikëse janë të viteve ’80 dhe shkurret përdoren si zëvendësues për shuarjen e flakëve.
Në përfundim, Qëndresa Qytetare i bëri thirrje SPAK-ut dhe prokurorive të veprojnë ndaj përgjegjësve politikë dhe administrativë, duke kërkuar jo vetëm ndëshkim penal, por edhe “djegie politike” për ata që kanë menaxhuar dhe mbrojtur projektin e inceneratorëve.
“Nga sot, nuk e quajmë më Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ajo është Ministria e Tymit dhe e Ndotjes – sepse kjo është fytyra e vërtetë e saj përballë qytetarëve që thithin helm çdo ditë”, u tha në deklaratë.









