Në një reagim të fortë publik, Qëndresa Qytetare ka dënuar ashpër vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor (KKSHKSH), duke e cilësuar si një kapje të pastër politike të shkencës dhe goditje të rëndë ndaj lirisë akademike në Shqipëri.
Sipas Qëndresës, kryeministri Edi Rama ka emëruar veten dhe shtatë ministra në krye të këtij këshilli, duke zëvendësuar përfaqësuesit akademikë me funksionarë politikë. Struktura e re përbëhet nga 19 anëtarë, ku përveç ministrave dhe përfaqësuesve të agjencive shtetërore, vetëm 4 vende i janë lënë universiteteve, ndërkohë që më herët drejtimi i kërkimit shkencor i ishte lënë ekskluzivisht akademikëve dhe departamenteve universitare.
“Ky vendim bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor dhe përbën një cenim të hapur të autonomisë universitare,” deklaron Qëndresa Qytetare. Organizata vlerëson se qeveria po e përjashton botën akademike nga vendimmarrja, në një kohë kur Shqipëria renditet e fundit në Evropë përsa i përket intensitetit të kërkimit shkencor, me vetëm 6 artikuj për 100,000 banorë.
Shqetësimet thellohen edhe më tej nga të dhënat financiare: vetëm 0.056% e PBB-së në vitin 2025 është alokuar për kërkimin shkencor, shumë larg nivelit minimal prej 1% të kërkuar nga BE. Po ashtu, vetëm 0.15% e të ardhurave nga tarifat studentore në universitete përdoren për kërkim, ku në Universitetin e Tiranës kjo shifër bie në vetëm 0.09%.
“Kjo është një goditje përfundimtare për cilësinë e arsimit, për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe për përpjekjet për ta nxjerrë universitetin nga koma dhe varësia politike,” thekson Qëndresa Qytetare, duke kërkuar urgjentisht rishikimin e vendimit dhe kthimin e autonomisë akademike.







