FLASH :

Qendra e prostitucionit në Elbasan nxjerr edhe një herë në dritë “mësymjen” kineze në Shqipëri

Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shame”, i cili u zhvillua pas disa javësh hetime të thelluara me metoda proaktive në drejtimin e Prokurorisë. Operacioni kishte në fokus goditjen e një rrjeti të organizuar që ushtronte dhe shfrytëzonte prostitucionin në dy apartamente të marra me qira në qytetin e Elbasanit.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë dy shtetas kinezë, tre shtetase të huaja (kineze dhe braziliane) dhe tre shtetas shqiptarë, të cilët ndodheshin në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i kundërligjshëm. K. Ch., 44 vjeç, dhe R. C., 38 vjeçe, u ndaluan për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë, L. N., 46 vjeçe (kineze), B. G., 52 vjeçe dhe E. S., 23 vjeçe (braziliane) u arrestuan për “Prostitucion”, pasi ofronin favore seksuale kundrejt pagesës dhe promovoheshin në platforma online.

Në të njëjtin operacion u arrestuan në flagrancë edhe tre shtetas shqiptarë, A. P. (38), L. T. (38) dhe R. F. (28), të cilët kishin paguar për shërbime seksuale dhe po hetohen për veprën penale “Prostitucioni”. Sipas hetimeve, apartamentet ishin përshtatur për shfrytëzim sistematik të prostitucionit dhe ishin marrë me qira enkas për këtë qëllim.

Policia ka referuar gjithashtu materialet për nisjen e procedimit penal ndaj dy pronarëve të apartamenteve, A. V., 46 vjeç dhe B. H., 36 vjeçe, si dhe sanitares O. T., 19 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, dokumente personale, letërnjoftime, vula të dyshuara false dhe 10 celularë të përdorur për koordinimin e aktivitetit. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit thekson se do të vijojë pa ndërprerje luftën kundër krimeve të kësaj natyre.