Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Azgan Mrënicën, për vrasjen e punonjësit të policisë Novruz Cenalia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:15, më 13 maj të viti të kaluar, në fshatin Baltëz të Fierit.
Azgan Mërcnia akuzohet për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’.
Prokuroria Fier: “Nga hetimet, u provua se më datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij.”
Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Prokuroria informon se efektivi i Shqiponjave i ka tërhequr vëmendjen 24-vjeçarit për këtë veprim duke bërë që ky i fundit të ndalonte automjetin e tij dhe më pas ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit duke shkuar në drejtim të viktimës.
Azgan Mërnica ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së efektivit, i cili nuk kishte dalë nga makina, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Mërnica shoqërohej nga nëna e tij e cila ishte dëshmitare e krimit të rëndë. Menjëherë pas ngjarjes ai u arratis dhe u arrestua disa ditë më vonë.