FLASH :

Qatar po josh britanikët me paga pa taksa dhe siguri të lartë – përtej debatit për të drejtat e njeriut

Qatar, një shtet i pasur me naftë në Lindjen e Mesme që dikur ishte nën protektoratin britanik për më shumë se 50 vjet, po kthehet sot në një destinacion të preferuar për shumë qytetarë britanikë që kërkojnë një jetë më të mirë. Paga pa taksa, krimi i ulët dhe një stil jetese luksoz po i tërheqin profesionistët e rinj nga Londra drejt Dohas, kryeqytetit të Katarit.

Në mediat sociale, veçanërisht në TikTok, emigrantët britanikë ndajnë përvojat e tyre duke lavdëruar pastrinë, sigurinë dhe jetën e rehatshme. Video të influencueseve si “AngInQatar” apo mësueses “Iqra Inspire” përshkruajnë një realitet ku njerëzit lënë makinat dhe shtëpitë të hapura pa frikë, ku transporti është i lirë dhe ku temperaturat mund të kapin mbi 50 gradë Celsius.

Kostoja e jetesës është një tjetër faktor që po e bën Katarin më tërheqës: sipas të dhënave të Numbeo, jetesa në Britani është 34.2% më e shtrenjtë se në Doha. Ushqimet në restorante janë thuajse dyfish më të shtrenjta në Londër, ndërsa faturat mujore të ujit dhe energjisë në Doha janë tri herë më të ulëta. Megjithatë, disa produkte si birra e importuar apo interneti janë më të kushtueshme në Katar.

Sipas vlerësimeve, rreth 20,000 britanikë jetojnë aktualisht në Katar, shumica prej të cilëve janë profesionistë si mësues, dizajnerë, inxhinierë apo punonjës në sektorin e IT-së. Përveç pagave të larta dhe mungesës së taksave mbi të ardhurat, shumë prej tyre përfitojnë edhe nga akomodimi falas, mbulimi i shpenzimeve të transportit dhe sigurimit shëndetësor.

Megjithatë, jeta në Katar nuk është pa polemika. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar shpesh trajtimin e punëtorëve migrantë, sidomos gjatë ndërtimit të infrastrukturës për Kupën e Botës 2022. Amnesty International dhe media ndërkombëtare kanë denoncuar kushtet e rënda të punës, vdekjet e shumta të punëtorëve dhe sistemin e diskutueshëm “kafala”, i cili e lidh punëtorin me punëdhënësin.

Figura të njohura britanike si David Beckham dhe Gary Neville janë përballur me kritika për përfshirjen e tyre në projektet e Katarit. Beckham, që mori 10 milionë paund për të qenë ambasador i Kupës së Botës 2022, mbrojti zgjedhjen e tij duke thënë se “angazhimi është mënyra e vetme për të sjellë ndryshim”. Nga ana tjetër, Neville, që punoi si komentator për televizionin shtetëror beIN SPORTS, deklaroi se “nuk ndjen konflikt moral”, ndonëse “i urren abuzimet ndaj të drejtave të punëtorëve dhe grave”.

Në një kohë kur Britania po përballet me krizë të thellë në sistemin shëndetësor dhe arsimor – me mjekë dhe mësues që largohen masivisht – vendet si Katari po ofrojnë jo vetëm mundësi më të mira ekonomike, por edhe një jetë më pak stresuese, më të sigurt dhe më luksoze për profesionistët e zhgënjyer nga realiteti britanik.