FLASH :

Putini feston me fëmijë në tanke kartoni, ndërsa ushtria ngec në Ukrainë – Dita e Fitores kthehet në teatër propagande

Në një atmosferë festimesh të orkestruara me kujdes, Rusia kremtoi sot 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste me parada, shfaqje, dhe simbolikë të mbushur me propagandë. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë në skenë u ngjitën foshnje me uniforma ushtarake, fëmijë në tanke prej kartoni dhe parada fëmijësh në qendra urbane, duke dhënë imazhin e një vendi ku historia, lufta dhe fëmijëria janë përzier në mënyrë absurde nën diktatin propagandistik të Kremlinit.

Në qytetin siberian Kemerovo, të sapolindurit në maternitet u veshën me kapela ushtarake dhe u mbështollën me batanije me ngjyrë ulliri. Në rrjetet sociale u postuan foto të tyre me moton “Bashkohuni me ne!”, ndërsa drejtuesit lokalë flisnin për “lidhjen e brezave” dhe “pjesëmarrjen e qytetarëve më të vegjël në historinë e madhe”.

Në Voronezh, dhjetëra kopshte organizuan një “paradë ushtarake” me automjete dhe aeroplanë të bërë nga kartoni, të shoqëruar nga daulle dhe këngë patriotike. Në Vladivostok, mbi 1000 fëmijë morën pjesë në “paradën e parë ushtarake për fëmijë”, të përshkruar si performancë e “stërnipërve të fitores”.

Këto skena, që për shumë shikues jashtë Rusisë ngjajnë më shumë me një karnaval propagandistik sesa një reflektim të sinqertë për një nga kapitujt më të përgjakshëm të historisë botërore, tregojnë një transformim të thellë të mënyrës si Kremlini po e përdor Ditën e Fitores. Nga një ditë kujtese për 27 milionë viktima të BRSS në Luftën e Dytë Botërore, ajo është kthyer në një mjet për të forcuar narrativën e luftës së sotme në Ukrainë.

Nga Stalingradi në Donbas: manipulimi i historisë

Në një ceremoni të mbajtur në Sheshin e Kuq, presidenti Vladimir Putin, i shoqëruar nga zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe nga disa liderë të huaj, përsëriti paralelizmat midis luftës së atëhershme dhe asaj aktuale. “Sot po marshojnë fëmijët e baballarëve që po luftojnë në front. Trimëria e tyre do të mposhtë armikun ashtu si në vitin 1945,” deklaroi guvernatori i Primorsky Krai, Oleg Koshemjako.

Por për shumë analistë, ky krahasim është jo vetëm i shtirur, por edhe historikisht i rrezikshëm. Politologu Abbas Galyamov e sheh paradën si “një zëvendësim për një luftë që nuk po fitohet”. Ai e krahason gjendjen aktuale me luftën e Stalinit ndaj Finlandës më 1939 – një fushatë agresive që përfundoi me disfatë morale dhe humbje të mëdha, pavarësisht përfitimeve territoriale.

“Rusia nuk ka arritur të pushtojë dot as plotësisht territoret që ka aneksuar në Ukrainë,” thotë Galyamov. “Kremlini i trembet krahasimit me të vërtetën, ndaj preferon të krijojë realitet paralel përmes spektaklit dhe simbolikës.”

Një shfaqje për audiencën e brendshme dhe të jashtme

Për analistin Alex Yusupov nga Fondacioni Friedrich Ebert, parada është pjesë e përpjekjes për ta bërë Putinin pjesë të një narrative historike madhështore: “Për presidentin rus, fitorja e vitit 1945 është boshti i identitetit shtetëror. Nga ky bosht ai ndërton legjitimitetin personal dhe politikën e jashtme agresive.”

Ndërkohë, për shumë qytetarë rusë, sidomos ata më të moshuar, 9 Maji mbetet një ditë zie dhe krenarie, por pa nevojën për parakalime të militarizuara apo spekulime politike. Kujtimi i miliona të vrarëve, që shpesh luftuan me armë të pakta dhe të paushqyer, nuk përputhet me spektaklin festiv që propagandohet nga televizioni shtetëror.

Festa me lot në sy… dhe shumë kamera

Analistët pajtohen se parada e këtij viti, ndonëse simbolikisht e ngarkuar, është më shumë një dritare për propagandën sesa përkujtim për historinë. Mesazhi është i qartë: Rusia është ende një fuqi e pamposhtur, njësoj si në vitin 1945. Por realiteti në frontin e Ukrainës, i mbushur me ngecje, viktima dhe mungesë fitoreje të qartë, e bën këtë pretendim gjithnjë e më të vështirë për t’u besuar.

“Do të ketë shumë shfaqje televizive dhe deklarata patriotike,” paralajmëron Yusupov. “Por do të jetë më shumë teatër sesa realitet. Sepse propaganda mund të manipulojë ndjenjat, por nuk mund të ndryshojë faktet historike.”