Në prag të një samiti të rëndësishëm BE-Kinë që do të mbahet më 24 korrik në Pekin, Kina ka lëshuar një mesazh të paprecedentë ndaj Europës: “Humbja e Rusisë në Ukrainë është e papranueshme”, ka deklaruar ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një takimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas. Sipas South China Morning Post, Pekini nuk dëshiron që Kremlini të dobësohet, pasi kjo do t’i lejonte SHBA-së të përqendrohej krejtësisht ndaj Kinës. Këto deklarata të sinqerta përfaqësojnë një kthesë të hapur të diplomacisë kineze nga neutraliteti formal drejt mbështetjes gjeopolitike për Moskën – me qëllimin për ta zgjatur sa më shumë luftën në mënyrë që të tërheqë vëmendjen dhe burimet e Uashingtonit në frontin europian.
Ky zhvillim errëson pritshmëritë për samitin BE-Kinë, i cili ishte menduar të shënonte 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes palëve. Sipas Eurasia Group, takimi do të jetë “i tensionuar dhe pak produktiv”, me pozicione gjithnjë e më të ngurta. BE pritet të kërkojë nga Kina t’i japë fund praktikave të padrejta tregtare dhe të mos ndihmojë më Rusinë, ndërsa Pekini kërkon ta përdorë Europën si kundërpeshë ndaj Trump dhe politikës “America First”. Në sfond qëndron rritja e deficitit tregtar të BE-së me Kinën, rritja e eksporteve kineze drejt Europës për shkak të tarifave amerikane, dhe përplasjet mbi çmimet e makinave elektrike. Nëse nuk ka lëshime të fundit nga Xi Jinping, samiti mund të përfundojë si një “dialog mes të shurdhërve” ose në një përplasje të hapur.