Një skenë e cila duket më shumë si e shkëputur nga një shfaqje teatrale sesa nga një samit sigurie: Vladimir Putin, Narendra Modi dhe Xi Jinping u panë duke qeshur me gjithë shpirt, duke shtrënguar duart dhe duke dhënë mesazhin e “unitetit të Lindjes” në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Në pamje, Modi dhe Putin hyjnë dorë për dore në sallën e takimeve dhe iu bashkohen Xi Jinping-ut. Një hapi i vogël për protokollin, por një foto e madhe për të dërguar sinjale politike: Rusia dhe Kina si liderë të një rendi të ri global, ndërsa India tregon se nuk është e izoluar. Të tre duken sikur po festojnë një fitore diplomatike.
Por ironia qëndron tek ajo çfarë fshihet pas buzëqeshjes: lufta në Ukrainë nuk u ndal, pavarësisht takimeve e përqafimeve, ndërsa në krahun tjetër të botës, Donald Trump ka kërcënuar me tarifa të reja Indinë, Kinën dhe Rusinë. Mesazhi për Washington-in ishte i qartë: “Ne kemi njëri-tjetrin”. Por pamjet i bënë shumë analistë të pyesin: a po qeshnin liderët me kërcënimet e Trump-it, apo thjesht po qeshnin për të mos treguar nervozizmin e tyre?
Në fjalimet e tyre, Xi foli për një “rend të ri global”, Putin akuzoi NATO-n për konfliktin në Ukrainë, ndërsa Modi përpiqej të shfaqte Indinë si balancues mes Lindjes dhe Perëndimit. Një paradë buzëqeshjesh përpara kamerave, por një realitet i ftohtë jashtë sallës së samitit.