FLASH :

Putin kërkon “paqen e fortë”: Thirrje për bisedime direkte me Ukrainën mes presionit perëndimor dhe ironive ruse ndaj Evropës

Në një fjalim të rrallë televiziv, të mbajtur vonë në mbrëmje nga Kremlini, Presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë thirrje Ukrainës për rifillimin e bisedimeve direkte më 15 maj në Stamboll, duke deklaruar se synimi i Rusisë është të arrihet një “paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë”. Kjo deklaratë vjen vetëm pak orë pasi kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi sanksione të reja ndaj Moskës nëse refuzon një armëpushim të plotë 30-ditor.

“Ne nuk ishim ata që i ndërprenë negociatat në vitin 2022. Ishte Kievi. Megjithatë, sot i bëjmë thirrje autoriteteve të Kievit të rifillojnë bisedimet pa asnjë parakusht,” deklaroi Putin, duke iu referuar raundeve të dështuara të negociatave pas fillimit të pushtimit rus në shkurt 2022.

Por teksa Rusia propozon paqe, realiteti në terren tregon diçka tjetër. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë të mbledhur në Kiev – përfshirë Starmer, Macron, Merz dhe Tusk – e kanë cilësuar pushimin e armëve të shpallur nga Moska për përvjetorin e fitores ndaj nazizmit si një “mashtrim propagandistik”. “Kur duan, ndalojnë. Kur nuk duan, vrasin,” deklaroi Zelensky në rrjetin X.

Në të njëjtën konferencë, Starmer kërkoi që armëpushimi i shpallur për 72 orë të zgjatet në një ndalim të plotë 30-ditor për të hapur rrugën drejt paqes, duke theksuar se nuk mund të ketë më “justifikime, nëse dhe por”.


Një shfaqje force në Kiev, një paradë në Moskë – dhe një realitet që nuk ndryshon

Ndërkohë që liderët evropianë bënin homazhe në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, Putin mbante paradën e tij vjetore në Sheshin e Kuq, ku krah tij qëndronin aleatë të fortë si presidenti kinez Xi Jinping. Retorika e tij nuk kishte ndryshuar: lufta në Ukrainë krahasohej me Luftën e Dytë Botërore dhe Rusia paraqitej si “barriera e pathyeshme kundër nazizmit, antisemitizmit dhe rusofobisë”.

Nga ana tjetër, diplomacia perëndimore po përpiqet të ndërtojë një plan të përbashkët për një armëpushim të përkohshëm, me qëllim hapjen e negociatave reale. Por sinjalet nga Moska mbeten kontradiktore. Dmitry Medvedev, një nga figurat më agresive të regjimit rus, ironizoi përpjekjet perëndimore duke thënë se “këto plane paqeje mund të futen atje ku dihet”, në një deklaratë vulgare që theksoi përbuzjen e Kremlinit ndaj Perëndimit.

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump – i cili së fundmi ka riparuar marrëdhëniet me Kievin pas tensioneve të hershme – ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, por ka paralajmëruar se mund të tërhiqet plotësisht nga nisma diplomatike nëse Moska nuk reagon.


Mes paralajmërimeve për sulme ajrore dhe bisedimeve të mundshme, paqja duket ende e largët

Për ironi, në të njëjtën ditë që u kërkua paqe, ambasada amerikane në Kiev paralajmëroi për sulme ajrore të mundshme ruse gjatë ditëve në vijim, ndërsa forcat ruse vazhdojnë ofensivat në frontin lindor.

Pavarësisht fjalimeve dhe deklaratave optimiste, përballja midis një Perëndimi që po kërkon një zgjidhje diplomatike dhe një Rusi që luan me bllofin e paqes vazhdon. Putin propozon negociata në Stamboll. Zelensky i quan veprimet e tij “paradë mashtruese”. Dhe për momentin, e vetmja armëpushim reale që kanë parë qytetarët ukrainas janë sirenat që heshtin për pak orë – për t’u ndezur sërish.