Moska ka reaguar me shqetësim ndaj raportimeve se Serbia po furnizon fshehurazi Ukrainën me armatime, përmes rrugëve të ndërmjetme. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se çështja është ngritur në kontaktet dypalëshe me Beogradin, duke e cilësuar këtë praktikë si “aksidentale” dhe duke shpresuar se do të ndalet menjëherë.
“Kjo temë u diskutua me miqtë tanë serbë dhe morëm garancitë e duhura,” deklaroi Peskov në një intervistë për kanalin Yunashev Live në Telegram. “Nëse një praktikë e tillë ka ndodhur aksidentalisht, shpresojmë që të merren masat e nevojshme për ta parandaluar në të ardhmen.”
Reagimi vjen pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) akuzoi Serbinë për furnizim të shtuar me produkte ushtarake drejt Ukrainës, përmes rrjetesh të ndërmjetësve. Sipas SVR, këto furnizime po intensifikohen, çka ka shkaktuar tensione në marrëdhëniet mes Moskës dhe Beogradit – dy aleatë tradicionalë në rajon.
Peskov theksoi se “tema është tepër e ndjeshme, si për Rusinë, ashtu edhe për Serbinë”, duke sinjalizuar se çdo veprim i mëtejshëm mund të ketë pasoja në raportet strategjike mes dy vendeve.
Ndërkohë, Beogradi zyrtar nuk ka bërë ende një deklaratë të qartë për këto akuza, megjithëse më parë presidenti Aleksandar Vuçiç është përpjekur të balancojë marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Moskës, duke ruajtur një qëndrim neutral publik ndaj luftës në Ukrainë.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për rajonin dhe mund të testojë durimin e Kremlinit ndaj një prej aleatëve të tij më të afërt në Ballkan.







