FLASH :

Putin arreston 2 TikTokeret që bënë video-selfie me depon e naftës së bombarduar nga Ukraina

Dy influencuese ruse janë arrestuar pasi publikuan një video në TikTok duke pozuar dhe kërcyer para një impianti të naftës në flakë, i goditur nga një sulm ukrainas me dron.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin bregdetar të Soçit, ku një dron shpërtheu në mënyrë dramatike një depo të lidhur me ushtrinë ruse, konkretisht “Rosneft-Kubannefteprodukt”. Objektivi ishte pjesë e infrastrukturës së rëndësishme energjetike të Rusisë.

Influencueset Dasha Vladimirovna, 21 vjeçe, dhe Karina Evgenyevna, 19 vjeçe, u filmuan duke kërcyer dhe duke bërë “rap” përpara flakëve që përfshinin uzinën, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Crimson Dawn” nga reperi rus Endshpil. Pamjet, që u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, shfaqnin vajzat duke e glorifikuar sulmin ukrainas dhe duke përqeshur paaftësinë e mbrojtjes ajrore ruse për të parandaluar goditjen.

Autoritetet i kanë ndaluar të rejat nën akuza për nxitje urrejtjeje dhe lavdërim të veprimeve terroriste, në një kohë kur Kremlini po shton masat ndaj atyre që tregojnë simpati për Ukrainën apo kritikojnë luftën në rrjete sociale.