Jennifer Lopez ka ndezur skenën e çmimeve American Music Awards 2025 në Las Vegas — por për arsyet e gabuara. Performanca hapëse e saj u përshkrua nga ndjekësit si “e turpshme”, “e dëshpëruar” dhe “e neveritshme” pas puthjeve të njëpasnjëshme që ndau me balerinë të dy gjinive gjatë transmetimit live në CBS.
55-vjeçarja nga Bronksi, tashmë e divorcuar nga Ben Affleck, ishte jo vetëm prezantuesja e mbrëmjes, por edhe ylli kryesor në skenë, duke kënduar një miks gjashtëminutësh me 23 hitet më të mëdha të vitit nga artistë si Billie Eilish, Sabrina Carpenter, Beyoncé dhe Post Malone.
E veshur me një kostum të ngjitur nud me xixa dhe pjesë të zeza, Lopez nisi performancën me këngën e saj të vjetër “Dance Again”, për të kaluar më pas në hite virale të vitit. Por momenti që la publikun me gojë hapur ishte kur ajo puthi një balerinë femër me flokë ngjyrë verë dhe më pas një mashkull në mënyrë të zjarrtë — skenë që u cilësua nga fansat në rrjetet sociale si “përpjekje për të bërë xheloz Affleck” dhe “provokim i panevojshëm”.
Në rrjetin X, komentet ishin të shumta: “Jennifer Lopez e ka humbur kontrollin!”, “Pse po puth të gjithë në skenë?” dhe “Kjo ishte thjesht e turpshme”. Ndërkohë, komediania Tiffany Haddish nuk ngurroi të bëjë humor mbi divorcin e saj nga Affleck, duke thënë në skenë: “JLo i bëri të gjitha hapat për sot… ruaj ndonjë balerinë dhe për mua!”
Megjithatë, mbrëmja pa edhe fitues të mëdhenj. Billie Eilish u shpall “Artistja e Vitit” dhe mori pesë çmime, ndërsa SZA, The Weeknd, Post Malone dhe Beyoncé dominuan kategoritë përkatëse në R&B, country dhe hip-hop.
Pavarësisht polemikave, JLo u shfaq me plot tetë veshje të ndryshme gjatë natës, përfshirë një fustan të artë me të çara të thella dhe një jumpsuit të zi me shkëlqim që tregonte barkun e saj të tonifikuar.
Kjo ishte hera e parë që AMAs u transmetua në CBS, duke shënuar një epokë të re për ceremoninë që prej vitit 1974 kishte qenë në ABC. Por JLo ndoshta do të mbahet mend më shumë për “shfaqjen e puthjeve” sesa për prezantimin — dhe ndoshta kjo ishte edhe qëllimi i saj.














