Momente paniku janë regjistruar këtë të diel në plazhin e Qerretit, ku një vajzë e re ka rrezikuar të mbytet nga dallgët e forta. Ngjarja ka ndodhur në mesditë, teksa pushuesja u përfshi nga rrymat detare dhe humbi kontrollin, duke u tërhequr nga dallgët në thellësi.
Pamjet filmike, të dërguara nga qytetarë në redaksinë e Lajme Troc, tregojnë momentet dramatike të ndërhyrjes së pushuesve dhe personelit mjekësor që i erdhën menjëherë në ndihmë vajzës, e cila u nxorr nga deti në gjendje të rëndë. Në video shfaqet një grup personash që tentojnë të stabilizojnë të renë, ndërsa mjekët e urgjencës i japin ndihmën e parë në vendngjarje.
Sipas dëshmitarëve, reagimi ka qenë i menjëhershëm, por gjendja e vajzës vijon të jetë kritike. Ajo është transportuar më pas drejt spitalit më të afërt, ndërsa mjekët nuk përjashtojnë rrezikun për jetën.
Ky është rasti i dytë brenda javës që raportohen ngjarje të ngjashme në bregdetin shqiptar, ku mungesa e vrojtuesve të plazhit dhe dallgët e forta paraqesin rrezik serioz për pushuesit.