Punonjësit e pushuar nga studio që prodhoi Candy Crush zëvendësohen nga AI që ata krijuan

Divizioni i lojërave të Microsoft është goditur ndjeshëm nga pushimet e fundit nga puna, me ndikim të veçantë tek King, kompania zhvilluese e Candy Crush. Sipas burimeve për MobileGamer.biz, shumë punonjës që kanë punuar për vite në ndërtimin dhe trajnimin e mjeteve me inteligjencë artificiale — në fushat si dizajni narrativ, përvoja e përdoruesit, krijimi i niveleve dhe kërkimi i përdoruesve — tani po përballen me humbjen e punës. Ironikisht, këto sisteme AI që ata ndihmuan të ndërtohen po përdoren për t’i zëvendësuar ata.

Në Londër, edhe ekipi i copyëriting që punon për Farm Heroes Saga pritet të pësojë përgjysmim, sipas disa burimeve. Një punonjës e quajti situatën “të neveritshme”, duke theksuar se King është financiarisht shumë i suksesshëm, por ndërprerjet po bëhen për arsye fitimi dhe efikasiteti.

Vlerësohet se numri total i punonjësve të larguar nga King kalon 200 vetë, në përputhje me raportet e mëparshme të Bloomberg për shkurtimet në të gjithë Microsoft-in.

Situata është gjithashtu e tensionuar në Halo Studios, pjesë tjetër e divizionit të lojërave të Microsoft. Të paktën 5 zhvillues u pushuan pak pasi kishin marrë një email ku Phil Spencer (drejtues në Xbox) festonte fitimet e divizionit. Një zhvillues u shpreh “jashtëzakonisht i irrituar” dhe akuzoi Microsoft se po bën ç’të mundet për të zëvendësuar punonjësit me agjentë AI, duke promovuar fuqishëm përdorimin e Copilot në të gjitha ekipet.

Megjithëse Microsoft po avancon me AI për të ulur kostot dhe rritur produktivitetin, kjo po shkakton pakënaqësi të thellë mes punonjësve të saj kreativë.