Numri i fëmijëve të angazhuar në punë ka rënë me mbi 100 milionë që nga viti 2000, sipas të dhënave më të fundit të Kombeve të Bashkuara të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Pavarësisht këtij progresi, objektivi global për eliminimin e punës së fëmijëve deri në vitin 2025 është “i paarritshëm” me ritmin aktual, paralajmëroi ILO në një postim në platformën X.
Sipas Raportit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2025, rreth 138 milionë fëmijë janë ende të përfshirë në punë, përfshirë 54 milionë në punë të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre. Krahasuar me vitin 2020, kjo përfaqëson një rënie prej mbi 20 milionësh, ndërsa që nga viti 2000 është arritur një ulje domethënëse, megjithëse popullsia globale e fëmijëve është rritur me 230 milionë. ILO thekson se për të përmbushur objektivin e vendosur për vitin 2025, progresi aktual do të duhet të përshpejtohet plot njëmbëdhjetë herë.