FLASH :

Pse të sëmurët mendorë dashurohen me njëri-tjetrin? Studim i ri me mbi 15 milionë njerëz

Një studim i ri, i kryer mbi 15 milionë njerëz, ka treguar se personat me sëmundje mendore shpesh zgjedhin si partnerë njëri-tjetrin dhe se kjo ndikon edhe tek fëmijët e tyre

Disa njerëz ndiejnë nevojën të lajnë duart 20 herë në ditë, disa për shkak të depresionit nuk ngrihen nga shtrati për ditë të tëra, ndërsa të tjerët mezi kontrollojnë mendimet që u vërshojnë me shpejtësi marramendëse.

Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi një miliard njerëz në botë vuajnë nga çrregullime mendore. Ky numër i madh megjithatë nënkupton se shumica e popullsisë është mendërisht e shëndetshme.

Por duket se personat me sëmundje mendore shpesh lidhen me partnerë që gjithashtu përballen me probleme të ngjashme. Këtë e tregon një studim i publikuar në revistën Nature Human Behavior.

Skizofrenia, depresioni, ankthi: partnerë me diagnoza të ngjashme

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 15 milionë individëve, duke vëzhguar nëntë çrregullime: skizofreninë, çrregullimin bipolar, depresionin, ankthin, ADHD, autizmin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), abuzimin me droga dhe anoreksinë.

Rezultatet treguan se, kur një partner diagnostikohej me njërin nga këto çrregullime, gjasat ishin dukshëm më të mëdha që edhe partneri tjetër të kishte një sëmundje mendore, shpesh të njëjtën.