Nga Maksi Çami
Nga një këndvështrim i një turisti europian qoftë ai suedez, irlandez, portugez apo gjerman rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri, ku Edi Rama dhe Partia Socialiste siguruan një mandat të katërt radhazi, do të ishte një mister politik me trajta klinike. Një fenomen i pashpjegueshëm me logjikën e qeverisjes moderne: një popull që shpërblen me votë pushtetin më të korruptuar, më arrogant, më grabitqar dhe më cinik në historinë e pluralizmit shqiptar.
Si t’ia shpjegosh europianit se shqiptarët nuk e votuan këtë qeveri për meritë, por për shkak të një deformimi të thellë politik, shoqëror dhe psikologjik? Se në fakt, nuk është se qeveria i shërbeu popullit është populli që i shërben qeverisë, që e adhuron si një fe të verbër, që pranon varfërinë, eksodin, abuzimin, përçmimin dhe prapë falenderon me votë?
Mandati i parë i Ramës ishte ishte maska e Rilindjes. Në vitin 2013, Rama u ngjit në pushtet si profet i një rilindjeje të premtuar: urbanizim, rend, estetikë, një shtet i ri. Shqiptarët i dhanë shansin e parë, me shpresën se pas kaosit të tranzicionit, më në fund dikush do bënte shtet. Por që në vitet e para u pa qartë se shteti nuk po ndërtohej për qytetarin, por për vetë rrethin e pushtetit Rilindas. Koncesionet pa garë, arroganca e komunikimit publik, dhe përqendrimi i pushtetit ishin paralajmërimet e para të një regjimi në ndërtim.
Në mandatin e dytë u shfaqën hapur rrënjët e korrupsionit me kontratat PPP. Zgjedhjet e vitit 2017 u fituan mbi një arkitekturë frike, manipulimi dhe klientelizmi. Përmes blerjes dhe intimidimit të votës siç doli hapur në Shijak dhe Dibër e më pas në gjithë vendin, u zhbë akti më bazik i demokracisë: gara e lirë. Opozita u përjashtua përmes një sistemi të kapjes së votës në mënyrë të nëndheshme, ndërkohë që drejtësia nisi të funksionojë jo si pushtet i tretë, por si vegël e pushtetit të parë. Në këtë mandat, korrupsioni nuk ishte më aksident ishte model qeverisës. Një sistem ku çdo investim publik, çdo tender, çdo koncesion ishte mjet për pasurim personal dhe rritje të kontrollit politik.
Në mandatin e tretë u pa kombi në gomone.Përtej ironisë historike, qeveria e mandatit të tretë do mbetet në kujtesën kolektive si koha kur shqiptarët, në mijëra, u kthyen në emigrantë me gomone, në faqen e parë të gazetave europiane. Një komb i tërë që u kthye në popull të arratisur, pa dokumente, të dorëzuar pa shpresë, ndërkohë që brenda kufijve të një shteti të zbrazur, tenderoheshin inceneratorë që nuk ekzistonin, bëheshin drejtorë patronazhistë, dashnore e soj-shoq i partisë, dhe korrupsioni merrte trajtat e groteskut. Me investitorë strategjikë familjarët e partisë.
Po pse e votuan prapë Ramën? Pse një popull që është vjedhur në çdo qelizë, që ka parë ministra në arrati, kryebashkiakë të kapur me apartamente plot e përplot me euro të palosura, qeveritarë që nuk japin llogari për asgjë, sërish e shpërblen këtë sistem me një tjetër mandat?
Ka tre shpjegime, të tria tragjike në vetvete:
- Demoralizimi kolektiv Shqiptarët nuk votojnë më me mendimin se mund të ndryshojnë diçka. Ata votojnë ose për të ruajtur një vend pune, një ndihmë sociale, një shpresë për legalizim, ose nuk votojnë fare. Atyre që votojnë kundër, u ndalet zëri në një sistem të projektuar për t’i shtypur. Me shprehjen kur nuk e mund dot të keqen, bashkohu edhe ti me të.
- Zhdukja e mundësisë për demokraci reale. Në mungesë të institucioneve që funksionojnë, informacioni nuk vjen më përmes medias së lirë apo debateve demokratike, por përmes një makinerie propagandistike të stilit bolshevik, autokratik afrikan apo venezuelian, ku kryeministri shihet si atdhe e baba njëkohësisht.
- Vetëvrasja politike si formë e fundit e dorëzimit.
Në fund të fundit, ndoshta shqiptarët nuk besojnë më në vetvete si popull politik. E shohin votën jo si akt shprese, por si ritual fatalist. Me shprehjen “na ra, do e heqim”. Ndaj bëjnë vetëvrasje politike jo me dashje, por nga një pesimizëm që u është kthyer në instinkt.
E pra, nëse një suedez do të pyeste: “Pse një popull voton një qeveri që e ka varfëruar, përzënë, dhe poshtëruar?”, përgjigjja nuk është logjike, është tragjike. Sepse ky nuk është popull që pret të qeveriset është popull që pret të urdhërohet se çfarë të bëjë. Nuk është një popull i lirë sepse është një popull i trembur. Duke qenë se arma e mbijetesës së frikacakut është nënshtrimi, ky popull kthehet në një shërbestar të dhunuesit të vet. Dhe kur një popull heq dorë nga dinjiteti dhe liria, ai nuk e rrëzon më tiraninë, ai popull e kurorëzon poshtëruesin e vet.
A nuk është pikërisht kjo vetëvrasje? E heshtur, por kolektive. E zgjedhur, por pa ndërgjegje. Një popull që nuk i nxjerr dot më fajtorët, por nxjerr në ankand veten, për një thes miell apo për një premtim pensioni. Shqipëria nuk është vendi i shqipeve është humnera e heshtur e sorrave. Dhe mandati i katërt është vula e kësaj heshtjeje.





