FLASH :

Pse ra miti i Diasporës që voton kundra se e ka detyruar Rama të emigrojë?

Që pjesa e dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në emigrim do të votonin kundër çdo qeverie, ky nuk është thjesht një perceptim.

Në fakt nuk ka logjikë që mund të pranojë se të thithësh ajrin e Mynihut, të Milanos, Londrës, Bernës, apo Nju Jorkut, të shohësh se si mirëmbahet një qytet me dhjetëra miliona banorë, të udhëtosh me metro, teren, tramvaj si shërbim publik, të të ofrohet një shërbim shëndetësor me kushte dhe standarde të paimagjinueshme për një qytetar shqiptar dhe më pas të kthehesh e të votosh propagandën e çorbës së një prej vendeve më të varfëra në Evropë, që ka injektuar dy televizionet kryesore shqiptare me demagogji, kjo nuk do të ishte vetëm absurde, por dhe do të ngrinte dyshime të forta manipulimi.

Por nuk është kështu, e vërteta qëndron diku tjetër.

Qëndron te mobilizimi i strukturave partiake në diasporë, që është thjesht një zgjatim i politikës së këtushme, atje, me forma dhe mjete të njëjta.

Këtu dallimin e bën, kush është më i organizuar, kush ka më shumë zell dhe kush hedh më tepër para’.

Emigranti i diasporës, që magjepset nga kullat në qendër të Tiranës, një herë në 5 vjet që e viziton vendlindjen, është pikërisht stereotipi i idiotit të dobishëm që logjikon si turist, pra që i duket sikur çdo gjë shkon vaj.

Pikërisht ky homo-sapiens politik është ai që targetohet nga strukturat partiake.

Të gjithë e pamë se Edi Rama doli në takime me diasporën 2 muaj përpara PD dhe kur kjo e fundit po merrej akoma me probleme “non gratash” dhe “vulash”.

Koha është mësuesi më i mirë. Kush e hodhi hapin dy herë më shpejt, mbërriti në finish po aq më shpejt.

Rama në diasporë ka dalë me 55% të votave, pra edhe më mirë se sa në Shqipëri, ku vërtitet te 51-52%.

Pra vota kundër çdo qeverie e diasporës është aty dhe fle e dremit në letargji si ariu dimrit.

Është paaftësia e opozitës dhe problemet e saj të brendshme, ato që nuk ditën të kapitalizonin as këtë mundësi të artë, duke i vënë kapakun dhe dekurajuar mërgatën, që të dalë dhe të votojë në zgjedhjet e ardhshme, kur që në rastin e parë kur vota u bë e mundur, u duk sikur ajo nuk jep shpresë dhe mundësi për ndryshim.