FLASH :

Pse lëkura bëhet e gjelbër nga bizhuteritë – dhe si ta parandaloni

Një reaksion kimik i padëmshëm, por shpesh i bezdisshëm për lëkurën

Për të shmangur zverdhjen ose gjelbërimin e lëkurës, lyeni pjesën e bizhuterisë që prek lëkurën me një shtresë llaku transparent për thonj dhe pastroni rregullisht bizhuteritë për të hequr mbetjet e losionit, djersës dhe papastërtive.

Është zhgënjyes kur gjeni unazën, varësen, vathët apo byzylykun e përsosur, i mbani gjithë ditën dhe më pas lëkura juaj nën to bëhet e gjelbër. Pasi të kalojë ndjenja e bezdisjes, me siguri pyesni veten: pse ndodh kjo? Përgjigjja është mjaft e thjeshtë dhe më poshtë gjeni edhe disa këshilla se si ta parandaloni.

Pse lëkura bëhet e gjelbër kur mbani disa bizhuteri?

Bakri është fajtor në shumicën e rasteve. Bizhuteritë prej bakri mund të reagojnë me djersën, losionet apo produkte të tjera në lëkurë dhe të oksidohen. Gjatë oksidimit ndodhin reaksione kimike që krijojnë një shtresë të gjelbër në sipërfaqen e bizhuterisë, e cila më pas ngjitet mbi lëkurë.

Megjithatë, bakri nuk është gjithmonë arsyeja e vetme.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me çdo lloj bizhuterie që nuk është ar nga i pastër ose platin, sepse përbërja e saktë e aliazheve shpesh nuk është e qartë. Shumë njerëz kanë probleme me niklin po aq sa me bakrin, pasi alergjitë ndaj niklit janë të zakonshme,” shpjegon Tori Dundas, themeluese dhe presidente e True Curated Designs.

Ngjyra e gjelbër nuk është alergji

Shumë e ngatërrojnë këtë dukuri me alergjinë ndaj bakrit, por nuk është e tillë.

“Është e rëndësishme të kuptohet se kjo është një reaksion oksidimi, jo alergji e lëkurës. Është një shtresë e mbetur që vendoset mbi lëkurë. Mund të fshihet, por ndonjëherë është kokëfortë,” thotë Beatrix Bell nga Beatrixbell Handcrafted Jewelry.

Meqë djersitja është e pashmangshme, është shumë e mundshme që bakri të reagojë me lëkurën tuaj. Sidoqoftë, ka edhe përjashtime: nëse pas mbajtjes së bizhuterive prej bakri shfaqen kruarje apo skuqje, kjo mund të jetë shenjë alergjie.

Si të parandaloni gjelbërimin e bizhuterive?

Lajmi i mirë është se mund të vazhdoni të mbani bizhuteri prej bakri pa u shqetësuar. Ja disa këshilla praktike:

▪ Lyeni pjesën e bizhuterisë që prek lëkurën me një shtresë llaku transparent për thonj, për të krijuar një barrierë.
▪ Pastroni rregullisht bizhuteritë për të hequr djersën, losionet dhe papastërtitë.
▪ Ruajini në ambient të thatë.
▪ Mbajeni lëkurën sa më të thatë kur mbani bizhuteri.
▪ Shmangni t’i mbani në ditë shumë të nxehta, kur djersitja është më e madhe.
▪ Hiqni bizhuteritë gjatë larjes ose pastrimit.
▪ Preferoni bizhuteri prej çeliku inox, platini ose prej metaleve të çmuara si ari dhe argjendi i pastër.