Avionët luftarakë amerikanë shkelën hapësirën ajrore iraniane dhe hodhën 14 bomba shkatërruese në territorin e vendit. Sulmi nuk erdhi si reagim ndaj një provokimi, por si vijim i agresionit të paligjshëm izraelit që mori jetën e më shumë se 600 civilëve iranianë. Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga zëvendësi dhe dy sekretarë të kabinetit, iu drejtua botës me fjalët: “Irani, ngacmuesi i Lindjes së Mesme, duhet tani të kërkojë paqen.” Por në këtë gjuhë diplomacie të rreme, bombat quhen mjete stabiliteti dhe dhuna shitet si rrugë drejt paqes.
Në mediat perëndimore nuk u shfaq asnjë imazh i fëmijëve iranianë nën rrënoja. Në vend të kësaj, ekranet u mbushën me reportazhe për izraelitët që strehoheshin në bunkierë. Ndërkohë që Gaza përjeton prej 20 muajsh urinë dhe shkatërrimin, me mbi 55,000 të vrarë sipas shifrave zyrtare dhe qindra mijëra sipas burimeve të pavarura, mediat perëndimore shmangin fjalën “gjenocid”, edhe pse Amnesty International dhe Human Rights Watch e kanë përdorur hapur. Prezantuesit flasin me zë të butë për “operacione ushtarake”, por asnjëherë nuk vendosin në pyetje narrativën zyrtare izraelite.
Iranit, ashtu si Palestinës, i mohohet njerëzimi në diskursin perëndimor. Ai nuk përshkruhet si shtet, por si “regjim”. Nuk është popull, por “kërcënim”. Fjala “Islamik” ngjitet mbi të si etiketë denigruese në çdo raport mediatik, për të forcuar idenë se çdo rezistencë myslimane ndaj dominimit perëndimor duhet shuar. Edhe pse Irani nuk zotëron armë bërthamore – ndryshe nga SHBA dhe Izraeli – ai paraqitet si rreziku ekzistencial për rendin botëror. Në fakt, problemi nuk është se çfarë ka Irani, por se çfarë nuk pranon të dorëzojë: pavarësinë.
Kjo retorikë e frikës është e vjetër. Prej tri dekadash, mediat amerikane përsërisin se Irani është “javë larg” nga bomba atomike – një afat që nuk mbërrin kurrë. Por frika, edhe kur nuk ka bazë, mbetet një instrument i fuqishëm: ajo mban njerëzit të heshtur. Sa herë përmendet “kërcënimi bërthamor”, askush nuk pyet për fëmijët që po vriten në emër të “ruajtjes së sigurisë globale”.
Megjithatë, këtë herë propaganda nuk funksionoi. Sipas sondazheve të fundit, vetëm 16% e amerikanëve mbështesin përfshirjen në luftë me Iranin, dhe më pak se 1 në 3 mbështesin bombardimet e urdhëruara nga Trump. Kjo tregon një ndryshim të thellë në ndërgjegjen kolektive amerikane, e formësuar nga pasojat e luftërave në Irak dhe Afganistan – mijëra të vdekur, miliona të dëmtuar, trillimet për armë të shkatërrimit në masë dhe fundi i turpshëm i tërheqjes nga Kabuli.
Ndërkohë që miliona amerikanë nuk kanë sigurim shëndetësor, shtëpi apo arsim cilësor, buxheti për bombat dhe luftërat mbetet rekord. Amerikanët po kuptojnë gjithnjë e më shumë se agresioni jashtë vendit është pasqyra e padrejtësisë brenda tij. Dhe mbi të gjitha, kanë parë për muaj me radhë genocidin në Gaza të transmetuar në kohë reale në telefonat e tyre. Propaganda e vjetër – që dehumanizon viktimën për të justifikuar dhunën – nuk ka më efekt në epokën digjitale.
Trump, gjithmonë oportunist, kuptoi se vala e opinionit nuk është në favorin e luftës. Më 24 qershor, ai publikoi në rrjetet sociale një mesazh ku njoftonte “armëpushimin”, ndërsa i drejtohej Izraelit me urdhrin: “MOS I HEDHNI ATO BOMBA.” Por kjo nuk e fsheh faktin se ai, sikurse shumë liderë amerikanë apo izraelitë, dëshiron të shpallet si paqebërës, ndërkohë që mbjell luftë.
Por këtë herë, nuk arritën të na mashtrojnë. Nuk e pranuam narrativën e tyre. Ne e dimë se paqja nuk zbret nga qielli në formën e bombave. Ajo lind vetëm aty ku ka liri, drejtësi dhe dinjitet. Nga Palestina në Iran, popujt vazhdojnë të rezistojnë – të pathyer, të pandëshmuar dhe të vendosur për të mos u përkulur përballë terrorit.