FLASH :

Pse gënjen Rama kur thotë se mban qëndrim si BE dhe jo si ushtar i Trump për Gazën

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive të dhënë dje në Euronews Albania, tha se Shqipëria, e ka linjëzuar politikën e saj të jashtme tërësisht me atë të Bashkimit Evropian, për sa i takon çështjes së konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Me jo pak hipokrizi, Rama mori si shembull për këtë votimet në OKB, të cilat në disa raste e kanë vendosur përpara përgjegjësisë Izarelin për konfliktin në Gaza, por duke mos sjellë asnjë pasojë jurdike apo shtrënguese për regjimin e Netanjahut, i cili vazhdon gjenocidin në Palestinë prej mëse 1 viti, ku ka shënuar mbi 60 mijë viktima, shumica dërrmuese civilë të pa-mbrojtur. Kjo pasi dihet që rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB kanë vetëm karakter këshillimor dhe jo detyrues.

Së dyti, Rama nuk është në një linjë me linjën zyrtare të BE sa i takon thirrjeve për vetëpërmbajtje drejtuar forcave ushtarake izraelite për të parandaluar vrasjen e civilëve.

Në vend të kësaj, Rama i ka bërë PR presidentit të Izraelit, të cilin e priti në Shqipëri dhe i premtoi një muze të kujtesës për hebrenjtë në Vlorë.

Për këtë Rama u dekorua nga Izraeli pak kohë më pas.

Tani nga i dekoruar i Izraelit dhe qokatar i regjimit gjenocidal, që të hiqet sikur ka mbajtur një qëndrim të ashpër dhe jo komod edhe ndaj Izarelit, kur këtë e ka lypsur e vërteta, kjo është një gënjeshtër e pastër, të cilën Rama ia thotë vetëm vetes.

Në deklaratat publike të politikës së jashtme, Rama ka dënuar gjithnjë me të fortë Hamasin deh ka theksuar të drejtën e Izaelit për të ekzistuar, por nuk ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje për regjimin e Netaniahut, ashtu si BE-ja, që Rama thotë se imiton.

BE-ja gjithashtu ka advokuar fort për aksesin e plotë dhe pa pengesa të ndihmave humanitare në Gaza. Në asnjë qëndrim zyrtar të Kryeministrisë apo MPJ shqiptare, nuk gjendet një deklaratë e vetme në suport të kësaj kauze humane.

Gjithashtu, bashkimi Evropian ka lëvruar një ndihmë të madhe financiare për infrastrukturën dhe qeverisjen palestineze, ndryshe nga Shqipëria që nuk ka lëvruar asnjë kacidhe në këtë drejtim.

Bashkimi Evropian ka patur fraksione brenda tij. Për shembull Gjermania dhe Austria kanë mbajtur një qëndrim haptazi pro-izraelit, ndërsa Spanja dhe Irlanda kanë qenë kritikët më të fortë të Izraelit.

Mes kësaj përçarjeje, qeveria shqiptare nuk ka qenë as neutrale, dhe as pro Palestinës, por qartazi pro-Izraelit.

Një tjetër pikë e politikës së jashtme zyrtare të BE-së në kuadër të këtij konflikti, ka qenë angazhimi diplomatik me Izraelin lidhur me të ardhmen e Gazës.

Qeveria e Ramës as që e çon nëpër mend që ta shtrojë në tryezë një temë të tillë, përkundrazi është përpjekur që të krijojë një linjë direkte fluturimesh turistike me Tel Avivin, për t’i vënë kapakun njëanshmërisë së saj ekstreme në këtë çështje.

Kështu që Rama orvatet të gënjejë veten, kur thotë se politika e tij ka qenë e linjëzuar me atë të BE dhe jo me atë të një ushtari të zellshëm të SHBA-ve dhe Trumpit, sa i takon këtij konflikti.