Lajme Troc mëson se gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka vizituar resortin “Klajdi Resort” në Golem, një biznes familjar i pronarit Orman Kokoshi, i cili është aktualisht nën hetim nga SPAK.
Sipas burimeve nga SPAK dhe BKH, gjatë një operacioni të fundit kundër organizatës kriminale të trafikimit të drogës, të drejtuar nga Franc Çopja dhe vëllezërit Ervis e Ardian Çela, janë ushtruar kontrolle në ambientet e “Klajdi Resort”, ku është sekuestruar edhe telefoni celular i pronarit Kokoshi si provë materiale.
Kjo vizitë, e cila u promovua publikisht nga Elisa Spiropali me fjalët:
“Një shembull frymëzues se si puna e ndershme dhe vizioni afatgjatë ndërtojnë më shumë se struktura; ndërtojnë besim, punësim dhe zhvillim për komunitetin”, tashmë merr një tjetër dimension, duke u lidhur me hetimet që SPAK po zhvillon për persona të përfshirë në rrjetet kriminale.
Ndërkohë, pas këtij operacioni të madh, SPAK ka lëshuar 16 urdhër-arreste në Elbasan, Lushnje, Durrës dhe Tiranë, duke sekuestruar 14 prona, përfshirë edhe resortin luksoz “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit.
Pak kohe me pare,Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ashpër duke deklaruar se Kryeministri Edi Rama ka anuluar emërimin e Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme pas publikimit të një videoje, ku ajo shihet duke zhvilluar takime me figura të njohura për lidhje me krimin, përfshirë edhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë i arrestuar.
Berisha tha se:
“Spiropali nxinte në Asamble, por ëndrrat për tu bërë Ministre e Jashtme u shuan nga një video që qarkullon me Bajrat”, duke premtuar publikimin e videos së plotë.
Ky rast vjen në një moment kur SPAK po godet me forcë strukturat kriminale, duke përfshirë dhe figura të biznesit të cilët duket se kanë pasur lidhje me fushatën elektorale dhe përfaqësues politikë.