Pse Edi Rama po sulmon Tomor Alizotin?
Në një fjalim të fundit në Elbasan, kryeministri Edi Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj kandidatit të opozitës, Tomor Alizoti, duke e quajtur “çyrryk” dhe duke deklaruar se “do t’i hamë të gjallë”. Kjo retorikë, e pazakontë për një kandidat lokal, ngre një pyetje të thjeshtë por thelbësore: çfarë përfaqëson Alizoti që ka provokuar këtë reagim kaq të fortë nga kreu i qeverisë?
Elbasani është një nga qarqet më të rëndësishme për zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Me një histori të pasur kulturore dhe peshë elektorale të konsiderueshme prej 14 mandatesh, ky qark ka qenë tradicionalisht një fushëbetejë e fortë politike. Por më e rëndësishmja, Elbasani është sot edhe një simbol i një dështimi institucional: gjatë 12 viteve të qeverisjes Rama, qyteti është shndërruar në një zonë të lirë për aktivitet kriminal, me rrjete të mirë strukturuara trafiku droge dhe ndikim të fortë të krimit në jetën publike dhe zgjedhore.
Raportet e organizatave ndërkombëtare dhe të mediave vendase kanë ngritur prej kohësh alarmin për shndërrimin e Elbasanit në një nyje të krimit të organizuar. Sipas Antimafias italiane, Shqipëria është kthyer në një pikë kyçe tranziti për heroinën dhe kokainën që shkon në tregjet e BE-së, me Elbasanin si një nga qendrat më aktive. Në disa raste, janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme të lidhura me individë të dënuar në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni, çka tregon për bashkëjetesën problematike mes shtetit dhe strukturave kriminale.
Kush është Tomor Alizoti? Historia e familjes Alizoti
Tomor Alizoti lindi në internim në Lushnjë, gjatë regjimit të Enver Hoxhës, si pasojë e prejardhjes së tij nga një familje e konsideruar “armik i klasës”. Gjyshi i tij, Eqrem bej Alizoti, ministër gjatë periudhës së Mbretërisë Zog, u pushkatua nga komunistët në Gjyqin Special të vitit 1945. Familja e tij u përndoq për dekada me radhë. Një nga figurat më tragjike që më pas u vendos dhe jetoi në Elbasan ishte Ilmi Leka, daja i tij, i diplomuar në Oxford, i cili u kthye në Shqipëri për të kontribuar për vendin, por përfundoi i varur në litar nga regjimi.
Kjo histori familjare nuk është vetëm personale, por përbën një kujtesë të gjallë të padrejtësive të regjimit komunist, të cilat Alizoti i mbart si pjesë e formimit të tij politik. Angazhimi i tij nuk është ndërtuar mbi marifete partiake apo aleanca me grupe të interesit, por mbi një nevojë për drejtësi dhe përfaqësim moral.
Në jetën publike, Alizoti është dalluar si një nga zërat më kritikë ndaj pushtetit, shpesh edhe brenda vetë opozitës. Me formim në filozofi dhe diplomaci, ai ka shmangur gjuhën e populizmit, por ka mbajtur një linjë të fortë kundër autoritarizmit dhe korrupsionit. Në një nga deklaratat e tij, ai ka thënë: “Diktaturat kanë vetëm një armë frikën.” Në një realitet politik ku shumica druhen të flasin, ky lloj qëndrimi krijon problem për sistemin.
Sulmi personal i Edi Ramës ndaj Alizotit nuk është thjesht një shfryrje emocionale është një sinjal i shqetësimit për një kandidaturë që vjen nga një moral tjetër, jo nga pazari i zakonshëm elektoral. Në një qark si Elbasani, ku politika shpesh është ngjitur me krimin dhe me interesa informale, kandidatura e Alizotit përfaqëson një përplasje mes të shkuarës që kërkon drejtësi e përfaqësim dhe një e ardhme që kërkon ndershmëri.
Ndaj pyetja nuk është pse Rama po e sulmon Alizotin. Pyetja është: çfarë do të ndodhë me Elbasanin nëse qytetarët vendosin t’i japin zë kujtesës dhe jo hijes së frikës? Atëhere Elbasani mund të kthehet dhe të udhëheqë rotacionin politik. Qyteti brenda mund ta përmbysë elektoratin e majtë të zonave rurale, dhe Alizoti mund t’i kthejë përgjigje Ramës jo me fjalë por me sukses.