FLASH :

PS nuk jep aprovim për arrestimin e Ballukut

 PS nuk ia jep autorizimin SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Ky është qëndrimi përfundimtar i socialistëve në raportin e Këshillit të Mandateve që do t’i përcillet për votim kuvendit. Për shumicën socialist SPAK nuk ka arritur të provojë domosdoshmërinë për arrestimin e ish-zv/kryeministre.

Kryeministri Rama e tha qartë se për ligjvënësit socialistë nuk ka asnjë arsye që të ngrenë dorën për burgosjen e Ballukut, ish nr. 2 të qeverisë.

“Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them prova bindëse, por të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë”, tha Rama në mbledhjen e grupit të PS.

Në fjalimin e tij gati 1 orë e 20 minuta para deputetëve socialistë Rama tha se me këtë vendim mazhoranca ndihmon vetë drejtësinë.

“Na jep Kushtetua mundësinë që as të mos e humbim nga sytë dhe të kemi mundësi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi, parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky është qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest ndaj një deputeteje. Është po kaq i rëndësishëm dhe parimor saç është mbështetja ndaj drejtësisë. Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk është trysni por vetëm bërja e detyrës sonë”, tha Rama.

Por pavarësisht këtij vendimi dhe faktit që sipas tij Belinda Balluku nuk po hetohet as për vjedhje dhe as për korrupsion por për shkelje të barazisë në tendera, kreu i qeverisë e kishte pa ekuivok thirrjen ndaj SPAK.  Rama u shpreh para deputetëve socialistë se SPAK nuk pengohet në hetimin ndaj Ballukut, duke thënë se jo vetëm që duhet të përballet në gjyq me akuzën për shkelje të pabarazisë në tender, por Prokurorisë i tha që të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni.

“Nuk kam ndërmend dhe nuk më lejohet t’i mbaj pishën asnjë personi. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia……Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun. La ta ulin në gjyq për shkelje të barazisë në tendera të bërë para 6 viteve, por të mos fyejnë inteligjencën tonë dhe të na thonë që ajo prish provat. Pastaj gjykata të vendosë si ta shoh atë arsyeshme, është plotësisht pushtet i pavarur. Ky është qëndrimi jonë, pikë”, vijoi kryeministri.