Zgjedhjet e fundit u fituan nga Partia Socialiste,e cila e qeveris vendin tashmë prej 12 vitesh, me një diferencë prej 251,501 votash pa llogaritur votat e PSD-së së Tom Doshit, aletatit të Edi Ramës, të cilat do ta çonin diferencën në 299,056 votash.
PD thotë se PS-ja përdor bandat, të fortët, lekët e shtetit apo lekët e krimit. Por edhe nëse ndodh kjo, nuk është një metodë e cila është shpikur nga Partia Socialiste. Kjo metodë ka qenë gjithmonë, edhe kur ka qenë në pushtet Berisha, edhe kur ka qenë Nano, edhe tani që është Rama.
Mirëpo, as opozita nuk po qëndron duarkryq dhe nuk po fle gjumë. Këtu të fortët, bandat, sipërmarrësit apo influencat përdoren nga të dyja kampet. Patjetër që pushteti mund të ketë pak më shumë, por me këtë logjikë, pse i humbi Berisha zgjedhjet në vitin 2013, nëse ai kishte pushtetin, bandat, çdo gjë, dhe tani vazhdon e justifikohet?
Manipulimi direkt apo vjedhja, edhe sikur diaspora të ketë bërë disa manipulime apo ndërhyrjen e të fortëve, diferenca prej 251,501 votash është e pamundur të përdoret si justifikim për humbje. Vjedhja e votës mund të bëhet me 100 apo 200 vota, maksimumi 1,000-2,000 vota, pasi të gjitha partitë kanë komisionerë, vëzhgues, ka kamera dhe nuk mund të bëhet në mënyrë kaq të dukshme.
Nëse PS-ja ka vjedhur 200 mijë vota, atëherë çfarë kanë bërë vëzhguesit e tjerë? Kanë fjetur gjumë? Kështu që ky është vetëm një justifikim dhe fakti është se kultura e mospranimit të përgjegjësisë ka këtë kosto. Edhe pse tifozët fanatikë të Berishës vazhdojnë ta mbështesin atë sy mbyllur, të tjerët e shohin se pas çdo humbjeje nuk ka një marrje të përgjegjësisë, por vetëm justifikime.
Kjo gjë do ta tkurrë Partinë Demokratike, pasi edhe besimi i tyre do të pakësohet. Nëse këtë herë PD mori 50 mandate, herën tjetër do të marrë 25, dhe sërish historia do të përsëritet, duke u justifikuar se janë vjedhur votat.
Pa llogaritur votat e Tom Doshit, diferenca do të shkonte në 251,501 vota, një shifër që e bën jo logjik çdo justifikim për manipulime. Pra, nëse e gjithë diaspora ka manipuluar, atëherë pse Opozita pranuan që të bëhej votimi edhe në diasporë? Si e kanë monitoruar dhe çfarë mekanizmi kanë përdorur? Apo PD e Berishës e la vetë për ta përdorur si justifikim më pas, duke thënë se “humbëm zgjedhjet pasi u manipulua diaspora”?
Nuk kishte si të fitonte një parti apo koalicion që pak muaj para zgjedhjeve ishte duke u marrë me çështjen e “non grata” të Sali Berishës nga SHBA-ja. Përveç kësaj, po merrej me çështjen se kush e ka vulën dhe sekinë e PD-së, një parti që u shkatërrua nga sherri i Bashës dhe Berishës.
PD-ja u shkatërrua pasi doli një parti antiamerikane e shpallur “non grata” nga SHBA-të, dhe u përça si opozitë si pasojë e krijimit të partive të tjera, të cilat fragmentarizuan votën e opozitës. Ashtu sikurse një yll në ngjitje si Agron Shehaj ju largua Berishës, duke i dhënë goditjen me të paktën dy deputetë, nëse ai vazhdon të qëndrojë i çimentuar në llogoren e vetë e kokfortësi, ashtu do ti ikin dhe Agron të tjerë duke e tkurrur dhe më shumë PD-në.
Kështu që Berisha tashmë ka dy arsye pse këmbëngul të qëndrojë në politikë.
E para është të mbrojë pasurinë e vjedhur gjatë kohës kur ai ka qeverisur dhe pasuritë që kanë vënë fëmijët e tij. E dyta, për t’i mundësuar Edi Ramës të vazhdojë të qeverisë nën garancinë se do të dalë pa asnjë problem ose do të preket shumë pak. Në fund, Berisha siguron që Rama të sundojë, duke pasur përballë një opozitë që ai e mban qëllimisht të përçarë, duke mos e lënë të vetëorganizohet.







