FLASH :

Provokim në mes të Tiranës: Media serbe “Kurir” spiunon stërvitjen e Shqipërisë dhe mburret me videon

Pak orë para ndeshjes së zjarrtë Shqipëri–Serbi në “Arenën Kombëtare”, një provokim i pastër ka ardhur nga mediat serbe. Gazetari i “Kurir” ka qenë prezent në Tiranë të enjten, ku ka ndjekur fshehurazi stërvitjen e Kombëtares shqiptare të drejtuar nga Sylvinho dhe më pas është mburrur publikisht për këtë akt spiunazhi sportiv.

Stërvitja e Kombëtares, si zakonisht, ishte vetëm për 15 minutat e para e hapur për mediat, por gazetari serb ka qëndruar jashtë rrethimit të “Shtëpisë së Futbollit” dhe ka realizuar foto e video që më pas janë publikuar në portalin e njohur “Kurir”, me titullin sfidues: “Spiunuam shqiptarët në mes të Tiranës”.

Përtej ndonjë detaji taktik që mund të jetë kapur me teleobjektiv, qëllimi duket të ketë qenë më shumë provokimi. Edhe më ironike është deklarata e “Kurir” se “morën bukë me vete”, duke e kthyer këtë vizitë në një aventurë të pashembullt të një mediaje në territorin e një rivali të drejtpërdrejtë.

Kombëtarja shqiptare përgatitet për një sfidë vendimtare ndaj Serbisë, ku më shumë se pikët në Grupin K, në lojë është krenaria kombëtare dhe tensioni historik mes dy vendeve. Autoritetet shqiptare kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë në kryeqytet.