Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë i janë nënshtruar sot provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, një nga testimet më të rëndësishme në përfundim të arsimit të mesëm.
Nxënësit janë paraqitur në ambientet e shkollës që në orën 08:30, ndërsa provimi ka nisur në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë masa për teste të personalizuara për maturantët me aftësi të kufizuara, në kuadër të rritjes së përfshirjes dhe barazisë në arsim. Më shumë se 640 mësues janë angazhuar në procesin e vlerësimit të testeve.
Provimi zhvillohet në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara nga Rregullorja e Maturës Shtetërore.
Pas këtij provimi, maturantët do të përballen me Matematikën më 17 qershor, ndërsa më 24 qershor zhvillohet Provimi me Zgjedhje, i cili përfshin një sërë lëndësh nga shkencat natyrore, shoqërore dhe artet.