FLASH :

Provat e reja të SPAK: Meta dhe Kryemadhi shpenzuan 240 mijë dollarë nga karta e biznesmenit Adrian Shatku

SPAK ka zbuluar një episod të ri të dyshuar korrupsioni që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Sipas hetimeve, çifti ka shpenzuar mbi 240 mijë dollarë përmes një karte të dytë bankare të vënë në dispozicion nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.

Kjo shumë është dokumentuar përmes letërporosive të ardhura nga disa shtete të huaja, ndërsa hetuesit dyshojnë se shpenzimet reale mund të jenë edhe më të larta, pasi priten dokumente shtesë nga autoritetet partnere. Karta bankare ishte e tipit “online” dhe përdorej për transaksione jashtë vendit.

Ilir Meta është distancuar nga përgjegjësia, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për kartën dhe se mban përgjegjësi vetëm për veprimet e tij. Kjo është një nga provat më të forta që SPAK ka administruar në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.