Disa transkripte komunikimesh të siguruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC, të cilat lidhen me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, janë paraqitur si prova të reja në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe të pandehurve të tjerë. Këto materiale u bënë shkak për debat mes palëve gjatë seancës së së mërkurës në Gjykatën e Posaçme.
Avokatja e Dritan Rexhepit, Joana Qeleshi, kërkoi qartësim mbi përmbajtjen dhe përfshirjen e plotë të materialeve, duke ngritur dyshime nëse do të paraqiten prova të tjera të reja në seancat e ardhshme. Ajo theksoi nevojën që mbrojtja të jetë në dijeni të të gjithë komunikimeve, për të përgatitur qëndrimin e saj.
Prokurorja e Posaçme, Elida Kaçkini, sqaroi para trupit gjykues se transkriptet janë pjesë e dosjeve të tjera hetimore, dhe janë përzgjedhur vetëm ato që lidhen drejtpërdrejt me procesin aktual.
“Nuk kemi pasur mundësi t’i paraqesim më herët. Komunikimet janë të shumta, por për këtë proces kemi nxjerrë vetëm ato që janë relevante për gjykimin. Kemi përfshirë vetëm ato që identifikojnë përdoruesit dhe të pandehurit në këtë çështje specifike,” deklaroi Kaçkini.
Ajo theksoi gjithashtu se komunikimet e hequra nuk kanë lidhje me këtë gjykim, por me persona të tjerë jashtë procesit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së sekretit hetimor. Sipas prokurores, për Dritan Rexhepin ekzistojnë dyshime për përfshirje në trafik droge, por në këtë çështje ai është nën akuzë për një vepër tjetër penale.
Për t’i dhënë kohë mbrojtjes që të shqyrtojë provat e reja dhe të paraqesë kundërshtitë e saj, gjykata vendosi ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj për në datën 20 qershor, ora 10:00. Procesi pritet të vijojë me debate mbi vlefshmërinë e komunikimeve të përgjuara dhe përfshirjen e tyre në dosjen gjyqësore.