Mbi 90,000 persona, sipas policisë dhe deri në 300,000 sipas organizatorëve marshuan më 3 gusht mbi urën e famshme Sydney Harbour Bridge, në një nga protestat më të mëdha pro-palestineze të mbajtura ndonjëherë në Australi. Ngjarja, e organizuar nga Palestinian Action Group, u zhvillua mes reshjeve të shiut dhe erërave të forta, duke bllokuar qarkullimin për orë të tëra. Protestuesit kërkuan ndërprerjen e tregtisë së armëve me Izraelin, sanksione ndaj Tel Avivit, lehtësimin e ndihmave për Gazën, një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen izraelite nga territori i pushtuar.
Marshi erdhi në një moment kur qeveria e kryeministrit Anthony Albanese po përballet me presion të madh për t’iu bashkuar Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë në njohjen zyrtare të shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Ministrja e Jashtme Penny Wong tha se protesta pasqyron shqetësimin e gjerë të komunitetit australian për krizën humanitare në Gaza dhe dëshirën për paqe. Pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve dhe një përpjekjeje të policisë për ta ndaluar marshimin në Gjykatën Supreme, gjyqtari vendosi se protesta mund të mbahej. Pas manifestimit, qeveria australiane njoftoi 20 milionë dollarë australianë ndihmë shtesë për Gazën, duke e çuar totalin në 130 milionë që nga tetori 2023. Organizatorët paralajmëruan se më 24 gusht do të mbahet një tjetër marshim kombëtar.


