Protesta e banorëve të Tragjasit, e zhvilluar dje, ka nxitur debate të forta dhe ka krijuar tensione në një moment kyç për zhvillimin e ujësjellësit në këtë zonë. Banorët, e grumbulluar në mjediset e njërit prej hoteleve të zonës, kanë protestuar kundër projektit të ujësjellësit që do të mundësojë furnizim me ujë të pijshëm për Tragjasin dhe fshatrat përreth.
Interesat e Pronareve të Hoteleve të Ndërtuara Pa Leje
Por, ajo që bie në sy është se protesta e djeshme është nxitur dhe manipuluar nga pronarë hotelesh të zonës, të cilët kanë ndërtuar objektet e tyre pa leje dhe janë njoftuar nga qeveria për shembjen e tyre. Këta sipërmarrës janë të interesuar që të pengojnë realizimin e projekteve të qeverisë që mund të dëmtojnë interesat e tyre personale. Në vend që të mbështesin zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e kushteve për banorët, ata po përdorin banorët e Tragjasit për të bllokuar një projekt që do të sjellë përfitime për të gjithë.
Dizinformimi
Pjesë e këtij manipulimi është edhe dizinformimi i banorëve, të cilëve u është thënë se projekti do t’i lërë ata pa ujë, ndërkohë që të dhënat zyrtare tregojnë se uji i burimit do të mjaftojë për të furnizuar të gjithë zonën, përfshirë edhe fshatrat përreth. Kjo është një përpjekje e pastër për të krijuar një tension artificial dhe për të mbajtur peng zhvillimin e zonës për interesa të ngushta ekonomike.
Kapitalizimi Politik i Protestës
Dhe ky keqinformim nuk ka mbetur pa ndikim politik. Partia Demokratike ka tentuar të kapitalizojë këtë protestë për interesa politike, duke mbështetur protestuesit dhe duke nxitur më tej kundërshtimin ndaj qeverisë. Pjesëtarë të PD-së, veçanërisht nga jugu i Shqipërisë, janë parë duke dalë përkrah banorëve, duke u inkurajuar ata të vazhdojnë protestën. Në anën tjetër, si për çudi një kandidat për deputet nga PS, Ardit Bido, ka kritikuar projektin, duke shprehur habi për mbrojtjen e këtij investimi nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, i cili ka dalë i pari për të mbrojtur projektin dhe për të argumentuar se ai do të jetë në dobi të zhvillimit të rivierës dhe banorëve.
Çudia e pozicionimit të Top Channel kundër Ramës
Kësaj proteste i ka dhënë jehonë edhe televizioni Top Channel, një televizion tërësisht i pozicionuar pro qeverisë por që në këtë rast nuk dihet se për cilën arsye ka vendosur që të godasë fortë projektin e Edi Ramës.