Erlin Shkoza, 37 vjeç, është arrestuar nga Policia në Elbasan pasi dyshohet se ka përvetësuar 409 mijë euro nga një kompani metrazhesh ku punonte si menaxher. Sipas hetimeve, Shkoza kishte përgjegjësi të plota për shpërndarjen e produkteve dhe menaxhimin e faturave, ndërsa mashtrimi është zbuluar pas një bilanci të brendshëm të kryer nga pronarët në fund të vitit 2024.
Gjatë hetimeve të krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, u zbulua se Shkoza, në bashkëpunim me financieren e kompanisë, kishte hapur një subjekt të ri me NIPT paralel në Elbasan, duke investuar atje paratë e vjedhura. Pronarët nuk kishin asnjë dijeni për këtë kompani të re. Pas mbledhjes së provave, hetuesit ndërhynë dhe e arrestuan Shkozën, ndërsa pritet të procedohen edhe persona të tjerë të përfshirë në skemë.