Megjithëse fizikisht jemi në mes të sezonit veror, operatorët turistikë në jugin e vendit paralajmërojnë bilance shumë më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Jugut deklaron se tipologjia e turistëve ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk bëhet fjalë më për pushues me fuqi reale blerëse.
“Ka prezencë, ka fluks, por nuk ka konsum. Kemi të bëjmë me një kategori turistësh që janë shumë të kursyer dhe nuk po gjenerojnë të ardhura për bizneset. Në fund të muajit, presim një rënie të ndjeshme të të ardhurave në krahasim me sezonin e kaluar,” – tha ai për mediat.
Sipas tij, kjo situatë është pasojë e çmimeve të larta, pasigurisë ekonomike dhe mungesës së kontrollit të tregut në zonat turistike si Himara, Ksamil dhe Saranda. Ndërkohë, shumë biznese janë të shqetësuara se sezoni 2025 do të mbyllet me humbje, pavarësisht fluksit në pamje të parë.