FLASH :

Prokurorja e çështjes së Thethit justifikohet mbi ndërtimet dhe e quan të paprecedent sulmin e Ramës

Prokurorja pranë Prokurorisë së Shkodrës, Elsa Gjeli, i është drejtuar zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një kërkesë për reagim institucional dhe publik ndaj, siç e cilëson ajo, një fushate të pashembullt denigruese dhe presioni të papranueshëm politik të ushtruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në dokumentin drejtuar KLP-së, Gjeli thekson se është bërë objekt sulmesh personale dhe profesionale nga Kryeministri, pas vendimit të saj për mosfillimin e një procedimi penal lidhur me rastin e vendosjes së kontenierëve në zonën e Thethit, në pronën e një shtetaseje, të cilët u cilësuan nga IMT si kundërvajtje administrative dhe jo vepër penale.

“Në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por kundravajtje administrative,” shkruan prokurorja, duke shtuar se vendimi ishte marrë mbi bazën e provave në dosje dhe referimeve zyrtare të policisë.

Por sipas Gjeli, vendimi është pasuar nga një valë reagimesh publike nga vetë Kryeministri Rama, i cili në data 6-8 korrik ka përmendur emrin e saj në deklarata publike, duke e akuzuar për “hedhje në kosh të një krimi të shumëfishtë”, “mbrojtje të shkatërrimit të pronës publike” dhe “veprim arbitrar dhe të dyshimtë”.

“Ky qëndrim publik është personal, diskriminues dhe i paprecedentë në një shtet demokratik,” shkruan Gjeli, duke theksuar se Kryeministri po ushtron presion të drejtpërdrejtë ndaj një prokurori të ri, me një karrierë të pastër dhe të dokumentuar me dhjetëra dosje të përfunduara me sukses dhe ngjarje të rëndësishme të hetuara.

Në letrën e saj, Prokurorja sjell në vëmendje edhe përballjen me ngjarje të rënda kriminale që nga fillimi i detyrës, si vrasja e Elis Rroshkodolit, arrestimi i Lulzim Rakajt për vrasje të mbetur në tentativë dhe hetimi i disa punonjësve të IMT për ndërtim të paligjshëm, për të cilat thotë se i ka përballuar me përkushtim, integritet dhe pa asnjë ditë pushimi, pavarësisht mbingarkesës.

“Kam bindjen e plotë që vendimmarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor,” shkruan ajo.

Prokurorja i kërkon KLP-së të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e pavarësisë së magjistratëve dhe të reagojë publikisht kundër ndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjet e prokurorisë. Ajo gjithashtu ofrohet të hetohet nga çdo organ ligjor për veprimet e saj, nëse kjo do të ishte e nevojshme, duke shprehur besimin e saj në sistemin e drejtësisë dhe refuzimin për të kërkuar mbrojtje jashtë institucioneve shqiptare — ndonëse, siç thekson, është rezidente e SHBA-së.

Në përfundim të shkresës, Gjeli shpreh gatishmërinë për të dëshmuar personalisht për ndikimin e këtyre deklaratave publike në mjedisin e saj profesional dhe emocional, duke bërë apel që pavarësia e drejtësisë të mos bëhet viktimë e politikës së ditës