Një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Shqipëri është goditur nga një megaoperacion i drejtësisë, që shtrihet edhe në Itali. Prokurori Vladimir Mara bëri me dije se janë lëshuar 52 masa sigurie në total, nga të cilat janë ekzekutuar 40 vetëm në territorin shqiptar.
Mes të ndaluarve ndodhen zyrtarë shtetërorë dhe një avokat, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e skemës kriminale të trafikut të drogës. Sipas prokurorisë, grupi kishte krijuar një rrjet të mirëorganizuar përmes të cilit jo vetëm trafikonin lëndë narkotike, por edhe pastronin paratë përmes bizneseve të ligjshme.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar:
- 3 restorante në qytetin e Durrësit
- 1 bar-kafe
- 6 shoqëri tregtare
Këto pasuri dyshohet se janë ngritur me para që rrjedhin nga aktiviteti kriminal, veçanërisht nga trafiku i drogës. Prokurori Mara nënvizoi se operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet italiane.