FLASH :

Programi bërthamor i Iranit, Teherani lajmëron negociata me disa vende evropiane

Irani do të zhvillojë bisedime të reja mbi programin e tij bërthamor me Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Bashkimin Evropian të martën e ardhshme. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme iraniane përmes një deklarate zyrtare

“Sipas marrëveshjes, negociatat mes Iranit dhe tre vendeve evropiane, si dhe me Bashkimin Evropian, do të vijojnë të martën që vjen, në nivel zëvendësministrash të jashtëm,” thuhet në deklaratën që pason një bisedë telefonike mes ministrit të Jashtëm iranian dhe homologëve të tij evropianë, përfshirë edhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaia Kallas.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, paralajmëroi se “koha po mbaron” për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur rikthimin e sanksioneve ndaj Teheranit. Ai konfirmoi gjithashtu se raundi i ri i bisedimeve do të mbahet javën e ardhshme.

“Pata një bisedë të rëndësishme telefonike me kolegët e mi, Sekretarin e Jashtëm britanik David Lamy, ministrin e Jashtëm gjerman Johann Vandeful dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaia Kallas, me ministrin iranian për çështjen bërthamore dhe për sanksionet që po përgatitemi t’i rikthejmë,” shkroi Barrot në rrjetet sociale.

Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vandeful, deklaroi se Evropa mbetet e përkushtuar ndaj diplomacisë, por theksoi se “koha po mbaron” dhe se Irani duhet të marrë angazhime konkrete për të shmangur aktivizimin automatik të mekanizmit të sanksioneve.

“Koha po mbaron dhe Irani duhet të bëjë një angazhim thelbësor për të shmangur rikthimin e menjëhershëm të sanksioneve. Ishim të qartë: nuk do të lejojmë që mekanizmi i sanksioneve të skadojë, përveçse nëse arrihet një marrëveshje e verifikueshme dhe e qëndrueshme,” theksoi Vandeful.