Produktet e skaduara alarmojnë pushuesit në Borsh

Pushues të shumtë në zonën bregdetare të Broshit kanë ngritur alarmin për produkte të skaduara që shiten në marketet e zonës, duke shprehur shqetësimin për mungesën e kontrolleve dhe rrezikun për shëndetin. Sipas dëshmitarëve, disa produkte ushqimore kanë rezultuar me shije të dyshimtë dhe etiketa të çuditshme, që ngjallin dyshime për manipulim të afatit të përdorimit.

Ky alarm i freskët vjen vetëm pak orë pas një operacioni të gjerë të Policisë së Shtetit në Vorë, ku u zbulua një magazinë që falsifikonte datat e skadencës së produkteve ushqimore. Gjatë operacionit “Siguria Ushqimore”, u arrestuan Florenc Domi, administrator i subjektit, dhe Agim Domi, magazinier, ndërsa u proceduan penalisht edhe ortaku dhe shoferi. Ata grumbullonin mallra të skaduara që më pas përpunoheshin dhe rietiketoheshin për t’u shpërndarë sërish në treg në Tiranë, Durrës e Elbasan, pa dokumentacion tatimor.

Nga hetimet rezultoi se produktet ishin skaduar që në janar dhe shkurt, por ishin rikthyer në qarkullim me etiketa të falsifikuara. Janë sekuestruar 716 koli me ushqime të rrezikshme për jetën. Prokuroria e Tiranës ka nisur ndjekje penale për vepra të rënda si falsifikim, mashtrim tatimor, punësim i paligjshëm dhe shitje ushqimesh të rrezikshme. Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin 112.