FLASH :

Problemi me ujin dhe plehrat, Rama furtunë spastrimesh në bashki dhe parti në Vlorë – ja kë emëron

Sherr dhe tensione në mbledhjen me dyer të mbyllura që Rama ka zhvilluar në Vlorë. Kryeministri ka fshikulluar Ermal Dredhën dhe punën e këtij të fundit, duke shfaqur një sërë pakënaqësish për punën e Bashkisë së Vlorës. Thelbi i gjithë pakënaqësive lidhet me menaxhimin e sezonit turistik, mungesat e ujit të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve, si për problematikat, ashtu edhe për ofrimin e shërbimeve.

Rama ka kërkuar dorëheqjen e një sërë drejtuesve të institucioneve në Vlorë, të cilët sipas tij nuk janë efikasë dhe nuk kanë kryer siç duhet detyrat. Ndër të tjera, mësohet se ka kërkuar dorëheqjen edhe të një pjesë të mirë të administratës së Bashkisë së Vlorës. Ka kritikuar edhe deputetët e qarkut për punën e tyre të deritanishme që lë për të dëshiruar. Rama gjithashtu ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të nënkryetarëve të Bashkisë së Vlorës. Në mbledhje ka përdorur shpesh edhe tonalitet të lartë, duke kritikuar rëndë punën e thuajse të gjithëve në sallë.

Nuk mbetet me kaq, por sipas informacioneve, Rama ka ndryshuar edhe kryetarët dhe bashkëkryetarët e Partisë Socialiste Vlorë. Nga Admir Malaj dhe Vilma Bello si bashkëkryetare, Rama ka komanduar në krye të Partisë Socialiste Vlorë Klevis Kason dhe bashkëkryetare Erjona Ismailin.