FLASH :

Problemet me drogën dhe shëndetin mendor, shkak për vrasjen makabre të 52-vjeçares në Pogradec

Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër-arresti për Ilirjan Selmanin, i cili u ndalua më herët nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço. Gjatë marrjes në pyetje, Selmani ka mohuar përfshirjen në ngjarje, por sipas hetuesve, policia dhe prokuroria kanë siguruar prova të mjaftueshme që dokumentojnë gjithë dinamikën e krimit, nga momenti i ekzekutimit deri te largimi i autorit nga banesa e viktimës.

Hetimet tregojnë se natën e së dielës, Selmani kishte qëndruar në shtëpinë e Kozetës, siç kishte ndodhur çdo mbrëmje tjetër gjatë lidhjes së tyre disa vjeçare. Dyshohet se një konflikt i çastit mes çiftit ka përshkallëzuar në dhunë fizike, duke përfunduar me vrasjen brutale të 52-vjeçares dhe djegien e banesës për të fshehur gjurmët. Selmani, i njohur nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, shpesh shfaqte shenja depresioni, ndërsa edhe viktima kishte pasur probleme të shëndetit mendor kohët e fundit.

“Besoj në Zot. E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës,” – kështu është shprehur Ilirjan Selmani para hetuesve, duke mohuar kategorikisht se ka qenë ai autori i vrasjes së Kozeta Teços, 52-vjeçares me të cilën bashkëjetonte.

Në dëshminë e tij, Selmani përpiqet të justifikojë veprimet pas ngjarjes: “Peshqirët me gjak i hodha në mbeturina, duke menduar se mos në apartament ishte therur ndonjë pulë, sepse bashkëjetuesja ishte e fiksuar pas pastërtisë.”

Ai përshkruan marrëdhënien me të ndjerën si një lidhje të trazuar, ku dashuria dhe alkooli ishin të pranishëm në mënyrë të përhershme: “Ajo dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte, dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më.”

Në fund, Selmani shton: “E dija që ishte më e madhe, por unë e doja. Nuk më bënte përshtypje mosha. Ajo më përdorte, nuk më donte.”

Ndaj Selmanit është lëshuar urdhër-arrest, ndërsa pritet që ndaj tij të kryhet vlerësim psikologjik për të kuptuar më shumë rreth gjendjes mendore dhe dinamikës së ngjarjes.

Ask ChatGPT