FLASH :

Priscilla Presley zbulon detaje tronditëse për martesën e Lisa Marie me Michael Jackson

Priscilla Presley ka rrëfyer hapur për martesën e shkurtër të vajzës së saj, Lisa Marie Presley, me Michael Jackson, duke dhënë detaje rreth marrëdhënies së tyre intime dhe duke e cilësuar këngëtarin si “manipulues”.

Në kujtimet e saj të reja Softly, As I Leave You: Life After Elvis, që publikohet më 23 shtator, ish-bashkëshortja e Elvis Presley pranon se ishte e tmerruar kur Lisa Marie i tregoi se do të martohej me yllin e popit në vitet ’90.

“Isha e shokuar nga martesa,” shkruan Priscilla. “E pyeta nëse kishin marrëdhënie fizike. Ajo më tha ‘po’.”

Priscilla thekson se nuk e besonte dashurinë e Michael-it për Lisa Marie, duke menduar se qëllimi i tij ishte të përfitonte nga mbiemri Presley dhe të përmirësonte imazhin e tij pas akuzave për abuzim ndaj fëmijëve.

“Michael nuk po martohej me Lisa Marie, por me dinastinë Presley,” shkruan ajo, duke e përshkruar si një njeri të manipuluar që përdorte “maskën e pafajësisë fëminore” në publik.

Sipas saj, marrëdhënia me ish-dhëndrin ishte “e çuditshme”, pasi ai shmangte të qëndronte me të rritur gjatë takimeve familjare, duke preferuar shoqërinë e fëmijëve.

Lisa Marie, e cila ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 54-vjeçare, kishte rrëfyer më herët në kujtimet e saj postume se Michael i kishte thënë se ishte i virgjër kur nisën lidhjen. Ajo kujtonte gjithashtu se këngëtari ishte iniciatori i çdo hapi intim dhe se nuk donte të priste deri në martesë.

Martesa e tyre përfundoi pas vetëm dy vitesh, me Lisa Marie që kërkoi divorc në vitin 1996. Priscilla shkruan se ndjeu një lehtësim të madh: “E dëgjova Elvisin sikur të merrte frymë i qetësuar.”

Pas ndarjes, Michael u martua me Debbie Rowe dhe pati tre fëmijë: Prince, Paris dhe Bigi. Ai ndërroi jetë në vitin 2009 nga një mbidozë propofoli. Lisa Marie la pas katër fëmijë: Riley Keough, binjaket Harper dhe Finley, si dhe djalin Ben, i cili humbi jetën tragjikisht në vitin 2020.