Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka hedhur akuza të rënda ndaj asaj që e cilëson si “mafia shqiptare me bazë në Ekuador”, duke pretenduar se kjo strukturë kriminale ka organizuar një komplot për të sabotuar zgjedhjet rajonale dhe legjislative që do të mbahen të dielën e ardhshme në vendin e tij.
Deklarata e bujshme u bë gjatë një fjalimi të mbajtur në një mbledhje të nivelit të lartë të partisë së tij, ku Maduro njoftoi se autoritetet venezueliane kanë arrestuar 38 persona, të cilët, sipas tij, janë pjesë e kësaj “mafie shqiptare” që operon në Amerikën Latine.
Sipas presidentit të Venezuelës, personat e arrestuar janë futur në territorin venezuelian me urdhër nga Ekuadori, me misionin për të vendosur bomba dhe për të destabilizuar procesin zgjedhor. “Ata janë infiltruar për të kryer akte terroriste, për të frikësuar qytetarët dhe për të sabotuar demokracinë tonë. Kjo është një strategji e huaj për të na destabilizuar nga brenda”, u shpreh Maduro.
Ai nuk dha prova konkrete për këto pretendime, por theksoi se shërbimet e inteligjencës së Venezuelës janë në gatishmëri të plotë dhe se plani është zbuluar në kohë. Deri tani, nuk dihet ende nëse autoritetet ekuadoriane apo ndonjë agjenci ndërkombëtare sigurie janë përfshirë në hetimin e këtij rasti.







