FLASH :

Presidenti i Emirateve viziton Shqipërinë: Rama e quan “mik të vjetër”, diskutohet bashkëpunimi dhe paqja globale

Kryeministri Edi Rama priti të mërkurën në Tiranë presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed, të cilin e cilësoi si një “mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar”. Vizita u shoqërua me një pritje zyrtare në Aeroportin e Rinasit dhe një takim mes dy udhëheqësve, ku në fokus ishte zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe si energjia e rinovueshme, teknologjia, tregtia dhe siguria ushqimore.

Të dy liderët theksuan nevojën për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nxitjen e dialogut ndërkombëtar për paqe dhe stabilitet global. Presidenti Bin Zayed bëri të ditur se u shkëmbyen pikëpamje për çështje rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa Rama e shoqëroi vizitën me vargje nga Fan Noli, duke e cilësuar takimin si simbol të miqësisë ndërfetare dhe bashkëpunimit mes popujve.