Pas humbjes tragjike të Diogo Jotës në një aksident automobilistik më 3 korrik në veri të Spanjës, shokët e ekipit dhe klubi i Liverpoolit kanë vijuar homazhet për sulmuesin portugez. Një ndër më emocionalët ka qenë mbrojtësi grek Kostas Tsimikas, i cili ka bërë një tatuazh në dorën e majtë me mbishkrimin “Wish you were here” dhe numrin 20 – në nder të mikut dhe bashkëlojtarit të ndjerë.
Tatuazhi u realizua më 5 korrik nga “Puerto Ink Athens”, vetëm dy ditë pas aksidentit fatal. “Ky tatuazh nuk është thjesht një homazh, por një copë dashurie, dhimbjeje dhe kujtese – e gdhendur në heshtje, e mbajtur me krenari,” shkruan artistët, duke theksuar lidhjen e thellë mes dy futbollistëve që u bashkuan në Liverpool në të njëjtin sezon në vitin 2020.
Jota, i cili së fundmi ishte martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë Rute Cardoso, la pas tre fëmijë të vegjël. Në ndeshjen miqësore të 13 korrikut kundër Preston North End, Liverpooli nderoi kujtimin e tij me një minutë heshtje, banderola, shirita të zinj dhe një program të veçantë 16-faqësh me imazhin bardhezi të Jotës duke ngritur trofeun e Premier League.
Në një tjetër gjest domethënës, klubi njoftoi pensionimin e menjëhershëm të fanellës me numrin 20 në të gjitha nivelet, si shenjë nderimi për Jotën. Profili i tij në faqen zyrtare të klubit është vendosur nën titullin “përgjithmonë” dhe mbyllet me fjalët: “Ai do të jetë gjithmonë numri ynë 20.”




