Një aksident tragjik ka goditur Lisbonën të mërkurën pasdite, ku të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur, pas daljes nga shinat dhe përplasjes së funikularit historik Gloria (tramvaj turistik), një ndër atraksionet më të njohura turistike të kryeqytetit portugez.
Sipas Institutit Kombëtar për Emergjencat Mjekësore, një fëmijë ndodhet mes të plagosurve, ndërsa pesë persona janë në gjendje të rëndë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë dramatike, me kabinën e shkatërruar thuajse plotësisht dhe ekipet e shpëtimit duke nxjerrë pasagjerët nga rrënojat.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetet apo kombësitë e viktimave, por është konfirmuar se mes të vdekurve ka edhe shtetas të huaj.
Kryetari i Bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat e asaj që e cilësoi si një “aksident tragjik”. “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe miqtë e viktimave. Lisbonës sot i ka rënë një hije e rëndë zie”, tha ai.
Aksidenti ndodhi rreth orës 18:00, në fillim të orarit të lëvizjeve të mbrëmjes, dhe ende nuk dihen shkaqet e sakta që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Sipas kompanisë Carris, që operon funikulin, shërbimet e mirëmbajtjes së rregullt ishin kryer, por dëshmitarë okularë raportojnë se kabina ka humbur kontrollin, duke rrëshqitur me shpejtësi në një rrugë të pjerrët përpara se të përplasej me një ndërtesë.
Pamjet e publikuara tregojnë dëme të rënda strukturore në kabinë, e cila është pothuajse totalisht e shkatërruar.
Funikulari Gloria, i ndërtuar më shumë se një shekull më parë, ka një kapacitet mbi 40 persona dhe është një nga tre funikularët që operojnë në Lisbonë. I klasifikuar si monument kombëtar, ai lidh qendrën historike të qytetit me lagjen e njohur Bairro Alto, duke u përdorur si nga vendasit ashtu edhe nga turistët.
Dy kabina të lidhura me të njëjtin sistem kabllor funksionojnë paralelisht, duke udhëtuar lart e poshtë një rruge të pjerrët me gjatësi prej disa qindra metrash.







